Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ekzekutuar 15 urdhër arreste për disa të dyshuar, pjesëtarë të një grupi kriminal, mes tyre edhe punonjës policie.
Hetimet erdhën pas letërporosisë së autoriteteve franceze, ku ndër të arrestuarit, është edhe Sokol Idrizaj, ish shoferi i Ardi Veliut, i cili aktualisht është kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Sa i përket akuzave të ngritura nga SPAK, bëhet fjalë për disa vepra penale si: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit apo edhe atë të grupit të strukturuar kriminal”.
Hetimet rreth këtij procedimi penal janë kryer në kuadër të Skuadrës së parë të Përbashkët Hetimore me Autoritetet Franceze të Drejtësisë.
Nga hetimet paraprake të kryer në territorin francez nga autoritetet gjyqësore të këtij vendi, është mundur të evidentohet veprimtaria kriminale e kryer nga shtetas me origjinë shqiptare, të cilët dyshohet se vidhnin sende të ndryshme dhe pastronin të ardhurat që rridhnin nga to brenda territorit francez dhe më pas atij shqiptar.
Personat nën hetim pas grumbullimit të sendeve të vjedhura në territorin francez dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale, pasi i depozitonin në një hotel, ua jepnin ato në dorëzim për t’i transportuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Shumat e përdorura për blerjen e sendeve të luksit, kapin një shifër prej 724,386 euro, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, pa përfshirë këtu shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme që kapin vlerën e 2.113.000 Euro dhe 35.000 Franga. Përveç këtyre shumave monetare personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg sende të çmuara, flori.
Produktet e luksit të blera në territorin francez nga këta shtetas janë transportuar në Shqipëri nga vetë ata si dhe bashkëpunëtorët e tyre nëpërmjet kompanive të transportit Francë-Shqipëri. Këto sende më pas janë futur kontrabandë në territorin shqiptar, të cilët janë shitur tek persona të ndryshëm duke fshehur njëkohësisht edhe të ardhurat e fituara nga ky aktivitet i paligjshëm.
Në kuadër të aktivitetit të paligjshëm kriminal rezulton se personat nën hetim si dhe bashkëpunëtorët e tyre kishin mbështetjen dhe përkrahjen e disa punonjësve të policisë dhe doganës të planizuar me shërbim pranë PKK Port-Durrës.