Pritej Ibra, Brahim Diaz, Zhiru apo Rafael Leao. Por në fund, heroi i Milanit ishte Zhunior Mesias, sulmuesi brazilian i afruar këtë verë, historia e të cilit tregon se nuk duhet të dorëzohesh kurrë dhe se ëndrrat mund të bëhen realitet… edhe për një murator.
Ai spikati në moshë të re në Brazil, ku Kruzeiro nënshkroi kontratë me të, por një aksident automobilistik që në fillimet e karrierës, ku ishte tërësisht i dehur në timon, thuajse i mbylli karrierën, e për pak sa nuk i mori edhe jetën.
Ai për pak kohë hoqi dorë nga futbolli dhe pas moshës 20-vjeçare, u transferua në Itali te vëllai i tij, për ta nisur gjithçka nga zero. Dhe kjo nuk do të thotë vetëm me futbollin. Ai shkoi në Itali dhe punoi si murator “duke pasturar tulla gjithë ditën për 20 cent copa” siç ka treguar vetë, ashtu edhe si punëtor ngarkim-shkarkimi për pajisje shtëpiake “që të thyenin kurrizin”.
Futbolli kaloi në plan të dytë, aq sa ai luante vetëm në nivelet amatore me miqtë e tij, deri në vitin 2015 kur Ecio Rosi e pa duke luajtur dhe e afroi te Kazale. Ai më pas kaloi te Kieri, Gozano e Krotone, duke shënuar gola kudo deri në majin e këtij viti. Në moshën 30-vjeçare, Milani vendosi të paguante rreth 9 milionë euro për të siguruar kartonin dhe firmën e tij.
Nga murator, në Serinë D e pastaj në Ligën e Kampioneve, ku ëndrrat e bënë realitet dhe me gjuajtjen e parë në portë shënoi një gol i cili mund të kthehet në një nga më të rëndësishmit në historinë e viteve të fundit të Milanit. Një histori mbresëlënëse e deri tani, nga ato me fund të lumtur.