Gjatë fundjavës, biznesmeni i njohur nga Fushë-Kruja, Nazmi Çangu u terrorizua pasi dhjetë persona të maskuar i hynë në banesë dhe e torturuan për disa orë. Sipas “TCH”, autorët i kanë mbajtur peng për disa orë edhe vëllanë Çangut dhe e liruan vetëm në orët e para të ditës së hënë, pasi i morën mbi 450 mijë euro që ishin siguruar nga shitja e disa pronave, truall dhe ambiente të ndryshme.
Në dëshminë e tij para policisë Çangu ka treguar se autorët kanë futur gruan, vajzën dhe një shoqe të saj në një dhomë tjetër dhe e kanë torturuar dhe lidhur atë që t’iu tregonte se ku ishte çelësi i kasafortës.
Sipas tij autorët janë persona që i njihnin si familje pasi iu janë drejtuar në emër fëmijëve dhe ai i ka identifikuar të folurën e tyre, si banorë të zonës së Kurbinit a Malësisë së Krujës. Ndërkohë kujtojmë se grabitësit pasi janë futur në banesën e biznesmenit i kanë marrë në fillim 8 mijë euro dhe pasi kanë hapur kasafortën kanë marrë mbi 450 mijë euro, si dhe bizhuteri të shtrenjta.
Kanë vjedhur edhe një nga dy armët e gjahut që Nazmiu mbante me leje dhe janë larguar nga pjesa e pasme e shtëpisë, duke u marrë celularët dhe mbyllur derën e jashtme, për të vonuar njoftimin e policisë.