Pas një seance maratonë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të shtyjë seancën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Burime kanë bërë të ditur se seanca e radhës është shtyrë të enjten në orën 10:00.
Gazetarja Klesiana Omeri ka mësuar se shtyrjen e ka kërkuar pala që përfaqëson Presidentin Meta për ditën e nesërme.
Por Klotilda Bushka ka thënë se nuk mundet që të ndjekë seancën ditën e nesërme për shkak të një angazhimi në KED. Për këtë arsye, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur që të shtyjnë seancën ditën e enjte.
Gjykata Kushtetuese mbajti sot seancën plenare për shqyrtimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Mbledhja e trupës gjykuese nisi që në orën 10:00, ndërsa në të nuk ishte i pranishëm Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili zgjodhi të përfaqësohet nga këshilltari i tij juridik, Bledar Dervishaj.
Në seancën e sotme ishin të pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
Gjatë seancës, gjykata rrëzoi edhe një kërkesë paraprake të bërë nga përfaqësuesit e Presidentit për përjashtimin e gjykimit të disa gjyqtarëve.
Kushtetuesja nisi sot shqyrtimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, gati 8 muaj pasi kjo u vendos me votat e 104 deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë më 9 Qershor 2021.
Meta u shkarkua me argumentin se ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj