I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më 13 shtator se nuk kishte marrë kurrfarë zotimi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për zbatimin e marrëveshjes bazike mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të saj.
Kurti tha të hënën se bisedoi me emisarin amerikan “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, shkruan REL.
Por, në një intervistë për Zërin e Amerikës, të publikuar më 13 shtator, Escobari tha: “Nuk kam marrë zotim nga Kurti.”
“Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit (të marrëveshjes). Dhe sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë. Ai, në thelb, u zotua të shkonte në Bruksel dhe të ishte i pranishëm në takime, por asgjë përtej kësaj”, shtoi Escobar.
Më 27 shkurt, në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Më 18 mars palët janë pajtuar edhe për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes, e cila parasheh një nivel të caktuar të vetmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.
Escobari i bëri këto komente në prag të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten në Bruksel.