26 NËNTOR 2019, është data më e errët për Shqipërinë, mëngjesi i së cilës solli tronditjen e madhe për zemrën e vendit. Lëkundja e fortë e tokës, zgjoi nga gjumi në orën 03:54 gjithë shqiptarët, që kurrë nuk e mendonin se një tërmet i fortë, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, do t’i trondiste aq sa zemra e tyre të lutej vetëm që të jetonin.
50 sekondat e tmerrit, ku asgjë nuk dëgjohej, përveçse uturimës ngjethëse të tërmetit katastrofik, mjaftuan që muret e pallateve dhe banesave të shembeshin përpara syve dhe mbi kokat e banorëve që ende nuk e kishin kuptuar se çfarë po ndodhte.
51 qytetarë, frymë të këtij vendi, nga mosha 2 deri në 85 vjeç, mbetën viktima të përplasjes së pllakave tektonike, që fatkeqësisht, fiks përpara dy vitesh, zgjodhi Shqipërinë. 3000 të tjerë u plagosën, ndërsa mbi 202 mijë qytetarë mbetën pa një çati mbi kokë.
Gjithashtu, sot ende nuk ka asnjë përgjegjës për viktimat e tërmetit, edhe pse në atë kohë, u trumpetua sikur shumë zyrtarë, ishin duke mbetur pas hekurave për paligjshmëritë e tyre. Nga ish-kreu i bashkisë Durrës, e deri tek inxhinieri më i vogël i pallateve të rrënuara sot lëvizin të lirë dhe pa asnjë përgjegjësi për shqiptarët që dhanë frymën e fundit nën rrënoja.