Skandali i aferës së inceneratorëve, për të cilën është vënë në pranga edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, duket se vijon të thellohet. CNA.al ka siguruar të dhëna ekskluzive, që tregojnë sesi tentakulat janë shtrirë edhe në media. Gazetarë apo media janë paguar në shifra të majme nga kompanitë e inceneratorëve.
Një ndër mediat e paguara nga kompanitë e inceneratorëve është edhe ajo e Carlo Bollinos.
Carlo Bollino dhe mediat e tij paguhen prej vitesh nga pronarët e inceneratorëve me shuma që në total kalojnë qindra milionë lekë.
MTSC e Carlo Bollinos është paguar rreth 40 mijë euro në 7 fatura të ekzekutuara, ku vetëm në muajin prill janë paguar 18 milionë lekë ose gati 17 mijë euro.
Sipas tabelës më poshtë, bëhet fjalë për shtatë pagesa, të ekzekutuara konkretisht nga muaji shkurt 2021, deri në muajin korrik 2021.
Pra, vetëm për një periudhë të shkurtër, në total për shtatë pagesa të ekzekutuara në vitin 2021 janë paguar për median e Carlo Bollinos 4.432.771 lekë.
Kush është MTSC
Sipas ekstraktit ligjor, MTSC është një kompani e themeluar në 17/06/2015 dhe me adresë në Tiranë, Njësia Bashkiak nr 2, rruga Niko Pushkin, prapa stadiumit Qemal Stafa, pranë liqenit artificial.
Po sipas ekstraktit mësohet se ortak i vetëm me 100% të kapitalit të kësaj kompanie është Carlo Bollino.
Ndërsa veprimtaria e shoqërisë është: “Aktivitet në fushën e transmetimeve radio-televizive. Prodhimi, transmetimi dhe ritransmetimi i programeve dhe prodhimeve të ndryshme audio-vizuale. Shoqëria ka të drejtë të ushtrojë çdo lloj aktiviteti të parashikuar nga ligji në përputhje me rregullat e dispozitat në fuqi.” Pra, bëhet fjalë për grupin mediatik të Carlo Bollinos.