Pjesëtarë të përjashtuar të opozitës janë përpjekur të futen me forcë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, i cili u mblodh të enjten në një seancë të rregullt plenare, duke shkaktuar kaos.
Garda e Republikës vendosi gardh metalik pranë hyrjes kryesore në ndërtesën e Kuvendit, për ta parandaluar hyrjen e 24 deputetëve të opozitës, të cilët janë të përjashtuar përkohësisht nga pjesëmarrja në seancat e Kuvendit.
Kuvendi i nisi punimet me deputetët e shumicës dhe me një grup të vogël deputetësh opozitarë. Por, seanca u ndërpre, pasi deputetja opozitare, Elda Hoti, hodhi një lëndë që ajo tha se ishte “aromatizues”.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, kërkoi përjashtimin nga seanca të tre deputetëve të opozitës, pasi ata gjithashtu grumbulluan karrige para foltores për ta penguar punën, dhe kërkoi të verifikohet se çfarë ishte lënda që hodhi deputetja, pas dyshimeve se bëhej fjalë për benzinë.
Ndërkohë, tensionet jashtë seancës u rritën me kalimin e kohës dhe këmbëngulësinë e deputetëve opozotarë për ta çarë kordonin policor, dhe me ardhjen e disa protestuesve mbështetës të opozitës.
Kreu i grupit parlamentar të partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike, Gazment Bardhi, e publikoi një video duke pretenduar se një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë “u ka drejtuar armën dy deputetëve Bledion Nallbatit dhe Luan Baçi”.
Por, Policia e Shtetit tregoi shpejt për ta hedhur poshtë pretendimin e tij, duke thënë se bazuar në Ligjin për Tubimet “asnjë punonjës policie nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri, por vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome”.
“Policia është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit. Ndërkohë, do të kryejmë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj policisë do të kallëzohen në Prokurori”, thotë policia.
Pas mbylljes së protestës, Flamur Noka, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, tha për mediat se opozitën “nuk e ndal asgjë” deri në arritjen e qëllimit të saj.
“Mosbindja civile do të vazhdojë derisa të plotësohet kërkesa jonë për qeveri teknike”, tha Noka.
Deputetë të opozitës, që morën pjesë në seancë, thanë se janë penguar dhe pretenduan se janë sulmuar nga punonjës të gardës.
Ata tentuan ta djegin një banderolë ku shkruhej “Edi Rama Mafia” para Kuvendit, por nuk u lejuan nga punonjësit e sigurisë.
Më herët, Bardhi e quajti “akt të turpshëm” vendosjen e gardhit metalik përreth ndërtesës së kuvendit.
“Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm që, nga njëra anë, është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe, nga ana tjetër, rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët ‘armiq'”, shkroi ai në rrjetet sociale.