Bjellorusia po mban sot zgjedhje parlamentare dukshëm të kontrolluara dhe nën masa të larta të sigurisë në qendrat e votimit, për të cilat opozita e vendit ka bërë thirrje të bojkotohen.
Zgjedhjet e 25 shkurtit pritet ta përforcojnë pozitën e liderit autoritar të vendit, Alyaksandr Lukashenka.
Vetëm katër parti, të cilat i mbështesin politikat e Lukashenkas, u lejuan të regjistrohen zyrtarisht për të garuar në këto zgjedhje: Belaya Rus, Partia Komuniste, Partia Liberal-Demokrate, si dhe Partia e Punës dhe e Drejtësisë. Rreth dhjetëra partive të tjera nuk iu pranua kërkesa për t’u regjistruar vitin e kaluar.
Liderja opozitare bjelloruse, Svyatlanta Tsikhanouskaya, e cila tha se iu vodh fitorja kundër Lukashenkas në zgjedhjet e vitit 2020, i ka përshkruar këto zgjedhje si “farsë” dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre.
“Nuk ka njerëz në fletëvotime të cilët do të ofronin ndryshime të vërteta, sepse regjimi i ka lejuar vetëm kukullat e përshtatshme për të, të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Tsikhanouskaya në një video nga mërgimi, Lituani, ku ka ikur pas luftës brutale ndaj protestave që nisën kundër rezultatit të zgjedhjeve më 2020.