Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë konferencës së përjavshme për mediat, komentoi fjalimin e Edi Ramës të cilin e cilësoi si një ‘tërkuzë’ nga një njeri që kishte kaluar gjithë natën nën efektin e drogave të forta.
Për kryedemokratin Berisha, Rama sot i përgatiti shqiptarët për ‘Jo’ e hapjes së negociatave.
Teksa foli për tenderat e fituar nga thjeshtra e Edi Ramës, kryedemokrati Sali Berisha tha se, Edi Rama e ka mohuar thjeshtrën, dy herë, duke e përjashtuar nga familja.
Duke folur për tenderat e fituar nga thjeshtra e Edi Ramës, Rea Xhillari, Berisha tha se ‘ai do përgjigjet rëndë për këtë mohim, e garantoj, nuk e kalon dot kështu se para dy ditësh u tha medieve se kjo është familja ime’.
FJALA E PLOTË:
Sapo përfundoi fjalën tërkuzë, të denjë për maturën e Venezuelës, Edi Rama, i cili u foli shqiptarëve nga satelitët Albania 1, Albania 2, me zotimin solemn se do t’u vjedhim më shumë, do t’u mashtrojmë më shumë dhe do përzëmë më shumë nga ky vend.
Fëmijët, të rinjtë, shqiptarët, nxënësit, rinia që priste nga ky Kuvend, nga ky Kongres i Partisë së Krimit, të dëgjonte një fjalë, konstatoi se ata nuk ekzistonin në fjalorin e liderit global të 1 prillit, që mbajti një fjalim sikur kishte kaluar tërë natën nën efektin e drogave të forta.
Sikur ishte ngjitur diku dhe nuk ekzistonin qytetarët, nuk ekzistonin të rinjtë, nuk ekzistonin bizneset, nuk ekzistonin gratë shqiptarë, nënat, motrat. Sikur problemi numër 1 i pensionistëve ishte shërbëtori i rremë dixhital që do u ofronte Edi Rama.
A ka njeri me fakultete mendore normale që mund të ketë kurajo të dalë përpara qytetarëve shqiptarë me një fjalim të tillë?
U ndal gjerësisht në integrimin, proces të cilin ai me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, me Sinaloan e Meksikës, me Bajrët e Shkodrës, me bandat e Durrësit dhe të Elbasanit, me Olsin e tij dhe Xibrakën, proces të cilin me vjedhjet tashmë famoze që jehojnë në të katër anët e Brukselit, djegësit, vetëm njëri prej tyre 1 miliard euro, proces të cilin me Dubai Cityn e tij, me të cilin do të krijojë lavatriçen më të madhe në Europë të parave të drogës dhe vjedhjeve që ka bërë ortaku i vëllait të tij me Bitcoin.
Këto nuk ekzistojnë për Europën dhe integrimin. Ekziston vetëm Greqia. Mirëpo që nuk u kthye të përdorte termat e etërve të tij monarko-fashistë, por më pas duke qenë i pasigurt se nuk është vetëm Greqia, por se standardet evropiane, demokratike i kërkojnë të gjitha vendet e lira dhe demokratike të Europës për t’u zbatuar, i kthehej pas aleatëve angloamerikanë, i kthehej boshtit evropian. Se ku e kishte mendjen te boshti, mendja e tij e sëmurë e di.
E vërteta është se proces integrimi me Edi Ramën, nuk ka.
E gjithë ajo që dëgjuan shqiptarët ishte një parapërgatitje për një JO për hapjen e negociatave, pikërisht për shkak të vendosjes së një diktature të re, diktaturë të bazuar në bandën, krimin dhe drogën.
Ajo që ndodh me Belerin është dhunimi më flagrant i të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë. Dhunim për interesa mafioze, kanë folur për Olta Xhaçkën, jo mo jo, nuk është vetëm Olta Xhaçka, janë Olsi Rama, Edi Rama dhe klanet e tyre që janë vërsulur me tërbim ndaj pronave në Himarë dhe në të gjithë bregun.
Ai nuk foli se kriteret demokratike janë kritere themelore në procesin e integrimit, sepse vetë Komisioni Europian, zyra direkt e përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme, denoncoi publikisht bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare, çka do të thotë grusht shteti brenda shtetit. Marrje e pushtetit të parlamentit. Do të thotë refuzim kategorik i kontrollit mbi të për afera të tmerrshme vjedhjeje.
Me këtë fjalim ai po përgatit izolimin e plotë të Shqipërisë.
Se ne qenkemi në rregull, por se Europa nuk është në rregull. Se Europës njëherë i del një problem diku, një herë një problem tjetër.
Çfarë problemi i del Europës kur ne shkelmojmë Kushtetutën tonë? Çfarë problemi i del Europës kur ky firmos 17 vendime në 24 orë për të vjedhur me djegësin e Tiranës deri në 1 miliard? Çfarë problemi ka Europa, kur ky vrapon me një gërshërë të thyer për të promovuar vjedhjen me rritjen 83 herë të çmimeve? Cili është problemi i Europës në këtë rast?
Çfarë problemi ka Europa kur rriten me 25 herë tenderimet sekrete nga zyra e tij? Kanë bërë një ligj, të vjedhin fshehtas. Si qenka problem i Greqisë ky apo problem hipotetik i Europës?
Ne rrezikojmë me datën 12 dhjetor të marrim një karton të kuq. Dhe pse? Vetëm e vetëm për shkak të qëndrimeve mafioze të Edi Ramës, i cili interesat e pasurimit të tij, interesat e pasurimit të klaneve të tij, i vendos mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.
Foli si ai që kalon natën nën efektin e kokainës në një nga spitalet e Tiranës dhe mban një fjalim për reformën në drejtësi.
Por ka ky njeri sensin dhe thotë që jemi shembull… Po si mund të jesh shembull ti kur janë 120 mijë dosje, kur shqiptarët zyrtarisht kanë humbur përfundimisht të drejtën e procesit ligjor. Nuk po them se procesi ligjor kërkon kohën e caktuar që duhet të jepet.
Kur për të pasur një proces ligjor në kohë, duhet të paguajnë qimet e kokës, duhet të paguajnë një ryshfet 3 deri në 5 herë më shumë se përpara. Vetëm për të afruar datën, jo për vendimin.
Janë vetëm në Gjykatën e Apelit, si pasojë e veprimeve të tij, 60 mijë dosje. Nga 75 gjykatës që duhet të ketë Apeli, ka gjithsej 17 gjykatës. Dhe Europa duhet të na marrë shembull, thotë ky.
Çfarë u tha në këtë fjalim për shëndetësinë? Shqipëria u rendit në 3-4 vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë nga Kovidi, sikur nuk kanë vdekur shqiptarët. Shqipëria u shndërrua në një spital dhe këta vodhën mbi gjysmë miliard euro me tenderat për Kovidin. Asnjë fjalë, nuk ka ndodhur kjo.
Rezultatet më dramatike të arsimit, ajo që ka ndodhur me PISA-n është zhvillimi më dramatik për arsimin tonë, një degradim i tmerrshëm, një rikthim para vitit 2009, me rezultate shumë më negative se viti 2009, që është viti kur ne filluam vlerësimin në PISA. Një degradim si në asnjë vend tjetër në botë.
Kjo nuk ekziston, ky përpiqet t’i mbulojë këto me inteligjencën artificiale. Sot nuk e kishte me satelitë, e kishte me inteligjencë artificiale.
Ky ishte Kuvendi: Ju kam mashtruar dhe do ju mashtroj.
Një përqendrim total të SKAP-it! Atëherë më thoni pse i kërkoni llogari Sali Berishës që pse flisni për SKAP-in politik? Më thoni ju mua, a kam të drejtë unë? Po ai injoroi fëmijët, injoroi nxënësit, të sëmurët, biznesin dhe u mor gjerësisht vetëm me SKAP-in në mënyrën më paradoksale.
Sepse e di që mëkatari numër 1 në Shqipëri është ai vetë dhe do me çdo kusht të dominojë dhe kontrollojë këtë organ. Unë nuk kisha dëgjuar kurrë, nuk ka sulltan, satrap, diktator tjetër që mund t’i kushtojë një institucioni të drejtësisë, se drejtësia tjetër nuk bën fare përveç SKAP-it, ky ishte fjalimi lavdi SKAP-it, që është ushtari im në betejën politike. Kurse prokuroria, gjykatat, etj, ato ishin mesjetë, ishin shekulli i kaluar.
A mund të flasë njeriu në këtë mënyrë? Mund të flasë natyrisht, se ai aty e ka mizën. E di që të gjitha megaaferat e mëdha korruptive kanë një emër dhe ky emër është Edi Rama. Ai e di që po kryen një vjedhje monstruoze në Durrës me 1.4 milionë metër katrorë publike për të ndërtuar parajsën e tij Dubai me paratë e drogës dhe me Bitcoin.
Si mund t’i mbash qytetarët në një ligjëratë tërkuzë kushtuar SKAP-it të partisë dhe gjykatëses që fshihet prapa krimit, Gjoka, vetëm sa nuk thoshte lavdi Gjokës. Për çfarë merite? Se fshihet prapa krimit të saj. Sepse fsheh në mënyrë kriminale faktin që ajo më 28 shkurt të vitit 1996 është shkarkuar nga detyra me firmë të Sali Berishës. E fsheh!
Dhe ky thotë, lavdi Gjokës, jo Pëllumbit, po kësaj.
Shqipëria tha është në majën e historisë. Duhet të jesh armik i egër i Shqipërisë të shprehesh në këtë mënyrë.
Shqipëria për herë të parë në historinë e saj ka më shumë vdekje se lindje. Shqipëria për herë të parë në të gjitha kohërat ka humbur 35 përqind të popullatës së saj në 10 vite të qeverisjes së Edi Ramës.
Shqipëria pas shekujsh e shekujsh varfërie reale në rrethana nga më të ndryshmet, arriti në vitin 2013 të ngjitet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe të kenë rrogat më të larta në rajon. U vidhis e fundit dhe tani thotë Shqipëria në majat e historisë.
Këtë mund ta thotë vetëm Pashiçi ose Çubrilloviçi. Këtë mund ta thotë vetëm ata që e duan Shqipërinë një vend që shpërbëhet, një vend që rrokulliset dhe shkretohet nga banorët e saj.
Do bëhemi eksportues energjie. Nastradini kishte një dhunti, gënjeshtrat i kishte të sheqerosura me humor, kurse gënjeshtrat e tij u kushtojnë shqiptarëve shumë.
Sot, falë një politike të ndjekur, para ardhjes së tij në pushtet, 48 përqind të nevojave të energjisë mbulohen nga sektori privat. Pra, sot Shqipëria ka prodhuar në tre vitet e fundit çdo vit 2 terravat energji më shumë nga sa prodhon. Për shqiptarët, ky është një fat. Shqiptarët duhet të kishin pasur një ulje të padiskutueshme të çmimit të energjisë.
Po kush e përfitoi këtë prodhim? E përfitoi Rama dhe Belinda, të cilët bëjnë vjedhjen më të madhe me atë që për shqiptarët në energji është një mrekulli, kaskada e Drinit është një mrekulli rregullatore për sistemin energjetik. Këta ia heqin këtë veti sepse shesin energji në verë dhe mbushin xhepat duke importuar me çmime të larta.
Nuk ka komb tjetër që penalizohet nga energjia siç penalizohen shqiptarët. 10 vite, janë ndërtuar gjithsej 35 megavat me prodhime diellore, në një kohë kur Shqipëria një nga vendet me më shumë ditë me diell në rajon. Nuk është ndërtuar asnjë fermë energjie prej erës, ndonëse kemi platformat më të mira të energjisë prej erës nga veriu në jug.
Pra, gjithçka është për t’u vjedhur.
Shqipëria është një nga vendet më të ndëshkuara nga gjykata e arbitrazhit. Pas gjithë këtyre dënimeve që mund të arrijnë në 500 milionë euro, qëndron vetëm Edi Rama.
Shteti shqiptar, thotë është modernizuar. Shteti shqiptar sot, si kurrë ndonjëherë, është plot kriminelë, trafikantë, falsifikatorë dhe hajdutë. E vërteta është edhe më keq se kaq.
Ministër rendi bëhet zyrtari më i lidhur publikisht me krimin e organizuar në Shqipëri. Taulant Balla që ka shoqëruar 54 herë Edmond Begon në ngarkesa droge jashtë shteti, duke e ndihmuar me pasaportën e tij diplomatike për të kaluar ngarkesën.
Njeriu që është akuzuar në sallën e gjyqit se ka gusht në vrasjen e avokatit Ravik Gurra, se ai mësoi se ky ishte i implikuar në vrasje nga regjistrimet. Njeriu që ka kilometra regjistrime në SPAK se është marrë me tenderat për të fituar bandat. Njeriu që banda e Bajrëve e kishte zëdhënës të vetin për ligjin e lojërave të fatit. Njeriu që Rrajat e futën në komisariat për të nxjerrë djalin e tyre kur keqtrajtoi në mënyrë shtazarake një vajze. Ky është sot ministër rendi.
Flitet për modernizim, vjedhje skandaloze me rrugët. Shqipëria është vendi që ndërton rrugë
me çmime 10-15 herë më të larta se vendet e tjera. Kroacia ndërtoi autostradë me 1.7 milion euro kilometri, ndërkohë Rruga e Arbrit na ka shkuar gjer tani 11 milion euro kilometri. 4 kilometër në Korçë-Kolonjë shkon në 20 milionë euro, kur maksimumi bëhej me 1 milion euro.
Këto, rroftë mashtrimi, trillimi dhe nuk ekzistojnë!
Situata e grushtit të shtetit po përkeqëson me shpejtësi stabilitetin e vendit.
Nuk lejon komisione hetimore. Këtu para jush unë kam paraqitur në disa seanca gjyqësore publike, vjedhjet e tij të tmerrshme publike, kur një kryeministër firmos 4 vendime për të vjedhur tokën e gjimnazit.
Kam paraqitur këtu tenderat e fituar nga thjeshtra. Cila ishte përgjigjia? E përjashtoi nga familja thjeshtrën, familja ime përbëhet nga Linda, Zaho, Gregu dhe unë.
Po ta përjashtosh si të duash, po ajo është pjesë e familjes tënde njëlloj si Gregu dhe Zaho. Ka ligje shteti. Neni 24 i konfliktit të interesit, stipulon se familja e ngushtë janë bashkëshorti dhe bashkëshortja, prindërit dhe fëmijët e tyre. Nuk ka asnjë avantazh nëse është fëmijë i nënës apo i babait. Nëse bashkëjetojnë apo janë të martuar, ata janë fëmijë të familjes.
Do përgjigjet rëndë për këtë mohim, e garantoj, nuk e kalon dot kështu se para dy ditësh u tha medieve se kjo është familja ime.
Imagjinoni se gjer ku arrin ky prind.
Po fakti që ne e kemi ngritur me dhjetëra herë abuzime e thjeshtrës, tani ajo del që nuk ka bërë deklarimet, prandaj thotë se nuk ka lidhje me mua.
Po ky është vetëm njëri aspekt i vjedhjeve të tij familjare, të tjerat janë në proces dhe do i nxjerrim të gjitha.
Pra, ishte vërtet i jashtëzakonshëm kongresi i partisë. Ishte rikthim total i saj në partinë e krimit, nga e cila ka lindur. Ishte rikthim në të njëjtën sallë, ku ajo ndërroi emrin.
Ishte totalisht rikthim në monizmin e saj absolut.
Fliste përçart, Enver Hoxha fliste për lugë floriri, ky fliste për inteligjencë floriri apo argjendi, duke besuar se në këtë mënyrë mashtron shqiptarët. Duke besuar se në këtë mënyrë do thonë, rroftë kryetari im. Si i tha ai, jap jetën për ty.
Gjithë halli është këtu, por e garantoj se nuk ka njeri që jep jetën për të, por do ia mbathi nga mosbindja civile dhe e pret një fat që e meriton, ai dhe të gjithë ata që e mbështesin ata.
Ata dhe të gjithë ata që si mercenarë i kthejnë politikave të tij.
Këto ishin disa vlerësime të fjalimit të tij tërkuzë. E thashë edhe njëherë, sikur fliste një njeri që ka kaluar të gjithë natën në spitalet e rehabilitimit apo të kurimit.
PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:
Isa Myzyraj, OraNews: Në fakt ditën e sotme gjatë fjalës së sotme përmendët 2-3 herë bitcion, që nuk e keni përmendur ndonjëherë. A keni ndonjë të dhënë të re, apo sinjal që ju keni në dorë të dhëna për përdorimin e bitcoin në vendin tonë?
Sali Berisha: Në dijeninë, kujtesën time, unë e kam përmendur shpeshherë dhe po rikujtoj këtu. Unë e kam përmendur bitcoin, konkretisht Amant Josifin, ortakun e Edi Ramës, e grupit Milton i cili ka grabitur 2.4 gjer 2.8 miliardë euro qytetarëve europianë. Me dokumente figuron ortak i Olsi Ramës. Përveç dokumenteve, çfarë di unë tjetër, të sigurtë? Tirana ka shumë call centera, si vendet që kanë rrogat më të ulëta. Ç’ndodhte? Policia shkonte dhe intimidonte një seri call centerash në mënyrë që punonjësit të mërziteshin, të ndiheshin të pasigurtë, ndërkohë sekserët e Amant Josifit, ortakut të Olsi Ramës, u ofronin vend pune të sigurtë në call centerat e tyre. Në këtë mënyrë, Amant Josifi, ortaku i Olsi Ramës, dhe sigurisht në mbrojtjen e Olsi dhe Edi Ramës, hapi 14 call centera. Çfarë bënin këta? Këta u kërkonin që të depozitonin bitcoin në një aplikacion që ua servirnin vetë, me garancinë sipas tyre që bitcoin do të ketë ta zëmë, jo vlerën 20 mijë euro, por 22 mijë euro. Dhe qytetarët spanjollë, gjermanë mashtroheshin. Këta aplikacionin kurth e kishin ndërtuar në mënyrë të tillë, saqë shitësi i bitcoin, depozituesi, e kontrollonte dhe i dukej sikur e ka bitcoin në aplikacion, ndërsa bitcoin ishte marrë nga aplikacionin. Bitcoin merrej nga grupi i Josifit dhe kishin konvertuesit këta. Njëri quhej Eneo dhe atij si ka ndodhur gjë fare. Kishin konvertues të cilët i konvertonin në euro, ose në lek, sic ju interesonte këtyre. Dhe një pjesë bitcoin që nuk kishin nevojë ti konvertonin, ose nuk gjenin hapësirë për ti investuar, i depozitonin në Dubai. Dhe këto janë të gjitha të njohura. Çfarë ndodhi tjetra. Prokurorët gjermanë dhe spanjollë erdhën në Shqipëri dhe lëshuan urdhër arresti për Amantin, por Amant Josifin, Olsi Rama e përçolli në Dubai. Prokuroria shqiptare nuk lëshoi urdhër-arresti, s’ja mbante se dilte Olsi. Prokurorin gjerman e dërguan në call centera se nuk kishin bërë këtë vjedhje dhe ai konstatoi se asnjëri nga punonjësit në call center nuk ishte gjerman folës. Dhe e la me shkrim; që këta nuk janë gjermanë folës. Këta i mblodhën dhe i dërguan në komisariat dhe aty si në rregullin romak, ti, ti, pa asnjë kriter, rrini këtu, fletë arresti dhe ju të tjerët ikni. Dhe këta i kanë mbajtur. Kjo gjykatësja që them unë, i ka dënuar me 60 ditë burg dhe nuk e ka zbardhur vendimin as ditën e 60 dhe këta kanë ngelur në burg të gjithë 75 apo më shumë ditë për shkak të mos zbardhjes së vendimit nga kjo gjykatës. Edhe ajo pjesë e bitcoin ka mundësi, se si mund të ndodhë kjo. Sigurisht që ky rrjet do të hetohet më shumë dhe është në hetim e sipër. SKAP-i nuk hapi dot hetim në kohën kur ja mbathi Amant Josifi në Dubai. E ëma e Amant Josifit është komisionerja më e lartë në sistemin e shërbimit civil, dha dorëheqjen, jo i tha, nuk ja pranoi Rama dorëheqjen, sepse është Olsi mbi të. Mbase ajo vetë nuk është marrë me bitcoin. Tjetër. Ke një deklaratë shumë të rëndësishme të ish-drejtorit të OSHEE, Ardian Çela. Dy tha janë gllabëruesit më kryesorë të energjisë në Shqipëri. Fermat e bitcoin dhe fermat e kanabis. Gjetën gjoja një fermë bitcoin në Shijak, por nuk ishte asgjë, sa për të bërë sikur zbuluan. Edi Rama është shumë i përfshirë në këtë aktivitet.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Z. Berisha gjatë javëve të fundit keni përmendur mosbindje civile, revoltë, por sot në ditën e rinisë, ditën kur u mbaj kongresi i PS nuk protesuat dhe nuk e ushtruar mosbindjen civile? A nuk ishte kjo dita e protestës për ti treguar qeverisë se opozita është në këmbë?
Sali Berisha: Ne nuk ndryshojmë projektin tonë në varësi të tyre. Ne ndjekim projektin tonë. Ne jemi në këtë fazë në parlament. Kur të dalim në shesh, dalim në shesh. Ne nderuam me ceremoni 8 dhjetorin e 1990, një datë historike. Një cikël i mbyllur. Këtu është vendosur diktatura dhe domosdoshmërisht duhet një revolucion i ri, mosbindje civile pa kthim për shpëtimin e Shqipërisë.
-Në mos gaboj 1 muaj më parë keni deklaruar se Kongresi i PS do të kishte edhe ndryshime në qeveri. Këto ndryshime nuk i pamë sot?
Sali Berisha: Po të ndjekësh fjalën që mbajti, ai e bazoi tërësisht në mashtrim, tek skapi dhe tregonte se ai nuk ka fuqi. Ai është thellësisht i tronditur, nuk ofron asgjë, dhe ato ndryshime që kishte ndërmend ti bënte nuk guxoi. Nuk guxoi se i shembet piramida që ka.
Fjona Çela, SYRI TV: Gjatë fjalës së tij në kongres, Rama tha se do të kthehej krenar nga Brukseli edhe nëse Greqia do të vendoste veton. Cili është komenti juaj për këtë. Dhe së dyti çfarë hapash do të ndërmarrë opozita nëse do të bllokohet procesi i integrimit. Mendoni se do të luhet me një retorikë nacionaliste për të justifikuar një bllokim të mundshëm.
Sali Berisha: Tani Rama përpiqet ti dalë përpara, vendimit që mund të merret. Unë nuk mund të them se çfarë vendimi mund të merret, të jemi i sinqertë. Por ajo që mund të them unë me siguri është se, pavarësisht merret apo jo vendimi, me Edi Ramën integrim nuk ka. Sepse mund të ndodhë që të bien dakord që të hapen dhe ta lëmë në klasë në kapitullin e parë dhe kjo do të ndodhë. Mund të vendosin që ky duhet të plotësojë kriteret, të respektojë parimet bazë të funksionimit të një shteti ligjor dhe demokracie. Ai sot u përpoq si një njeri jo i civilizuar, sepse njeriu i civilizuar mban përgjegjësi. Kurse ky vetëm përgjegjësi nuk mban. U përpoq ta kalojë përgjegjësinë në rast të vendimit negativ, tek Greqia dhe jo tek interesat e tij mafioze me të cilat mban peng procesin e integrimit. Opozita çfarë do që të ndodhë në kushtet e këtij grushti shteti, është dhe do të vazhdojë betejën pa kthim në mosbindje civile. Nuk ndryshon asgjë.