Policia ka dhënë informacion në lidhje me vrasjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku mbeti i vrarë shtetasi Naim Bajri.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër i cili ka qenë duke pirë kafe me viktimën. Bëhet fjalë për shtetasin Astrit Zeneli, 58 vjeç, i cili tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.
Gjithashtu në livadh, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.