Dy grupet më të mëdha parlamentare, ajo e socialistëve dhe demokratëve të përfaqësuar nga deputetët që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, arritën marrëveshje që zhbllokon punë e Kuvendit të Shqipërisë.
Marrëveshja është arritur në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, ku është pranuar kërkesa e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Njëri prej tyre do të ketë si objekt të hetimi parlamentar kontratat koncensionare në shëndetësi, konkretisht atë të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale dhe të ‘check-up’ apo të analizave shëndetësore bazë.
Komisioni tjetër hetimor do të ketë si objekt hetimi ndërhyrjen e paligjshme, sipas opozitës, në të dhënat personale të sistemit TIMS. Sipas kreut të grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, shumica ka qenë e gatshme për ngritjen e këtyre komisioneve, por kanë pritur që përmbajtja e hetimit të tyre të përputhej me ligjin, të cilin shumica e ndryshoi pak kohë më parë, vetëm me votat e saj. Opozita e ka kundërshtuar këtë ligj, duke çuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nuk dha sqarim nëse do të pritet që fillimisht që të shprehet Gjykata Kushtetuese apo do të procedohet me ngritjen e komisioneve.