Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë të ulin çmimin e karburanteve dhe miratojnë një paketë ekonomike për familjet në nevojë të cilat janë edhe pjesa më e prekur e shoqërisë nga kriza ekonomike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka bërë një krahasim të Shqipërisë me vendet e rajonit si: Greqi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Kroacia, sa iu përketë paketës së ndihmës ekonomike gjatë rritjes së çmimeve.
Sipas Presidentit, Greqia ka miratuar një paketë të ndihmës ekonomike me 300-400 euro për familjet me të ardhura të ulëta. Nisma është ndjekur edhe Maqedonia e Veriut, Kosovës dhe Kroacisë, ndërkohë Shqipëria ka ndërmarrë zero paketë ekonomike në ndihmë të familjeve e fermerëve.
I ndalur tek protesta e sotme e qytetarëve dhe shoqërisë civile, Meta i kërkon qeverisë të ndërhyjë në uljen e çmimit të karburanteve dhe të miratojë një paketë ekonomike për ndihmë të familjeve në nevojë.
“Greqia miraton paketën e ndihmës ekonomike 300 – 400 euro për familjet me të ardhura të ulëta.
Maqedonia e Veriut përgatit paketën ekonomike 400 milion euro për zbutjen e krizës së çmimeve, me fokus uljen e çmimit për karburantet, energjinë elektrike dhe ndihmën e familjeve në nevojë.
Kosova ndan 50 milion euro subvencione në bujqësi.
Kroacia heq akcizën e naftës.
Shqipëria ZERO paketë ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë, fermerëve dhe bizneseve të vogla dhe ZERO nisma për uljen e çmimeve abuzive të karburanteve, energjisë elektrike dhe mallrave të shportës.
Qeveria të ndërhyjë urgjentisht:
Për uljen e çmimit të karburanteve;
Për miratimin e një pakete ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë.
KOHA PËR TË DËGJUAR ZËRIN E QYTETARËVE ËSHTË TANI!”- shkruan Meta.