Prokuroria e Posaçme rrezikon të fundosë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta. Në vitin 2018 u dorëzua një padi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga juristi Romeo Kara, i cili paditi presidentin Meta, Sali Berishën dhe disa zyrtarë të tjerë për abuzimin me kontratën e CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve. Kara në padi shprehej se përmes kësaj kontrate i janë shkaktuar shtetit 39.5 milionë euro dëme.
Pas shkrirjes së Krimeve të Rënda nuk pati asnjë zhvillim mbi fatin e padisë, por ajo është transferuar në Prokurorinë e Posaçme sapo kjo e fundit u formua. “Nga verifikimet e kryera ne regjistrin e njoftimit të veprave penale të ish Prokurorisë së Krimeve të Renda rezulton se më datë 19.01.2018 është regjistruar procedimi penal me Nr.14, viti 2018, për veprat penale të parashikuara nga nenet 260, 248 dhe 245/1, te K. Penal. Pas kryerjes se hetimeve është vendosur shpallja e moskompetencës dhe dërgimi i akteve te këtij procedimi në Prokurorinë e Posaçme më datë 18.12.2019, regjistruar me numrin 55, datë 20.12.2019”, thanë burime nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas tyre kjo dosje është në fazën e hetimit. Kjo do të thotë se kambanat për presidentin dhe ish-kryeministrin kanë nisur të bien. Meta edhe pse nuk u shkarkua është në fund të mandatit.
Sapo të largohet nga Presidenca ai do të jetë pa imunitet dhe SPAK mund ta hetojë shumë lehtë. Ndërkohë që ish-kryeministri ka vetëm imunitetin e deputetit dhe kjo nuk e pengon SPAK që të hetojë.
Gjykata e ka të faktuar se pakti CEZ-DIA për të mbledhur borxhet e prapambetura ishte një aferë. Sot që flasim është në qeli Kastirot Ismailaj, administratori i DIA, ndërsa bashkëpunëtorët e tij arritën të dilnin të larë. Ndërkohë mësohet se në padinë që ka bërë juristi Kara, akuzon edhe ish-kreun e ERE Bujar Nepravishta dhe disa funksionarë të lartë të CEZ. SPAK duket se po heton dhe nëse i shkohet deri në fund kësaj afere, me shumë mundësi do të tronditet e gjithë klasa politike.