Presidenti Ilir Meta tha sot se shfuqizimin e dekretit për 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale e bëri për të shmangur përplasjen që mund të ndodhte gjatë protestave opozitare, por dhe për t’i dhënë një shans opozitës të ishte pjesë e garës.
Meta u shpreh i zhgënjyer nga kreu i PD, Lulzim Basha, pasi sipas tij, ai nuk e regjistroi Partinë Demokratike në KQZ, në datën e re të zgjedhjeve të dekretuar nga presidenti, më 13 tetor.
Pjesë nga deklarata e Metës:
Vendimi për shfuqizimin e dekretit nuk ishte i lehtë për mua. E bëra për të shmangur përplasjen por edhe për t’i dhënë një mundësi opozitës që të dialogonte. Mos harroni që ishte kulmi i lojës për ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe arsye të tjera. Vetë ai që thërriste njerëzit në protesta ishte i tmerruar për rezultatin e njerëzve në protestë. Të mos harrojmë që në 7 protesta të mëparshme, dhjetra e dhjetra qytetarë dhe policë kishin pësuar dëmtime të rënda. Presidenti më pas miratoi dekretin e tij për caktimin e datës 13 tetorin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Kjo datë u caktua pas diskutimit në mënyrë të veçantë me zotin Basha dhe të tjerë. Veprimi më minimal që duhet të kryente Lulzim Basha ishte të paraqiste në KQZ kërkesën për datën që ramë dakort. Por çfarë ndodhi? Rezulton Basha dhe PD nuk kanë denjuar të bëjnë as edhe një kërkesë zyrtare për t’u regjistruar si subjekt në zgjedhjet që presidenti kishte dekretuar.
Edhe pse opozita ishte organizuar si një front opozitar, rezulton se LSI, PR, i kanë paraqitur KQZ kërkesat respektive për t’u regjistruar në 13 tetor. Ndërkohë që Lulzim Basha që paska mbështetur presidentin, nuk paraqiti asnjë kërkesë të kësaj natyre. Lulzim Basha bojkotoi 30 qershorin por edhe 13 tetorin.