Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar thirrjet për një hetim ndërkombëtar lidhur me parregullsitë e supozuara në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, që nxitën protesta të organizuara nga opozita, e cila po kërkon anulimin e zgjedhjeve.
Demonstruesit po protestojnë në rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera në Serbi që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të cilat sipas rezultateve preliminare i ka fituar Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit.
Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, që doli e dyta në zgjedhjet parlamentare, e ka akuzuar SNS-në për mashtrime të gjera zgjedhore, akuza që autoritetet i mohojnë.
Një mision ndërkombëtar që monitoroi zgjedhjet, tha pas votimeve se SNS-ja kishte përfituar avantazh të padrejtë përmes mediave të njëanshme, përmes ndikimit të Vuçiqit dhe po ashtu kishin vërejtur parregullsi në votime sikurse blerja e votave.