Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke thënë se vëllai i tij dhe i shumëkërkuari Ervis Martinaj, janë dy biznesmenët e mëdhenj të lojërave të fatit.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë dhe intelektualë në Prrenjas, Berisha u shpreh se kreu i qeverisë kërkon të shpëtojë të vëllanë, me zhdukjen e Martinajt.
“Unë nuk kam asnjë sendiment se nuk e njoh fare Drejtorin e Policisë, por që të shkarkosh një njeri pa dhënë një motiv, kjo tregon që ti nuk respekton ligjin. Pastaj e mbyllte në fund duke e pyetur, pas një muaji që është zhdukur, të më sqarohet çështja e Ervis Martinajt. Çdo shqiptar e di që ai ishte biznesmeni, legal apo ilegal i lojërave të fatit. Olsi Rama ishte biznesmeni në hije i lojërave të fatit.
Këtë e dinë të gjithë, se kush i luante bastet, këta të dy ishin. Zhduket njëri, hesht një muaj dhe mendon se njerëzit nuk e dinë se vëllai i tij ishte një njeri që merrej me baste jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Gjermani edhe me radhë. Mendon se në këtë mënyrë i lau duart me zhdukjen e një njeriu”, theksoi Berisha.