I sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kërkuar nga Kosova, ndërsa në Beograd i pari për “mbrojtjen” e serbëve në veri të Kosovës.
Ky është profili i Millan Radoiçiçit, nënkryetarit të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetje nga Beogradi zyrtar.
Ai ka qenë në qebdër të akuzave nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i cili tha se Millan Radoiçiç, është njëri ndër krerët e strukturave kriminale që po kryejnë sulme në veri të vendit.
Radoiçiç nuk i ka komentuar këto pretendime dhe partia e tij, Lista Serbe i ka hedhur poshtë ato, duke i quajtur akuzat të pabaza.
Ai i ka shpëtuar dy herë arrestimit nga Policia e Kosovës, duke u arratisur nga Kosova, teksa vazhdon të jetë në listën e të kërkuarve, pasi ende ekziston një fletarrestim aktiv, për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në rastin “Brezovica”.
Në fillim të muajit korrikut, publikoi një video nga rrethina e Leposaviçit, në veri të Kosovës, me mesazhin: “Jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo”.
Në dhjetor të vitit 2021, Ministria e Financave e SHBA-së ka futur në listë të sanksioneve Millan Radoiçiç, me arsyetimin se ka qenë zëvendës i Zvonko Veselinoviç dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal.