Zelanda e Re mund të jetë në të ardhmen i pari vend në botë pa duhanpirës. Duket e çuditshme, por qeveria e këtij vendi ka gati një projektligj që do të shtrohet për votim në Parlament, vitin e ardhshëm.
Plani parashikon që çdo vit të rritet mosha e personave, të cilët nuk do të lejohet të tymosin. Që nga viti i ardhshëm, personat 14 vjeç e poshtë do të ndalohen përjetësisht të blenë duhan nëpër dyqane.
Kjo nënkupton 65 vite pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të mbeten vetëm personat 80 vjeç e sipër ata që lejohen të blenë cigare. Përmes këtij plani synohet që jo më tepër se 5% e qytetarëve të jenë konsumues të duhanit deri në vitin 2025. Pjesë e projektligjit është edhe reduktimi i niveleve të nikotinës në produktet e duhanit.
Ligjet aktuale në Zelandën e Re ndalojnë personat nën 18 vjeç të blenë duhan nëpër dyqane. Numri i duhanpirësve në këtë vend, vitet e fundit është reduktuar në 11% të popullsisë. Duhanpirja është shkaku kryesor i vdekjeve të parashikueshme në Zelandën e Re që arrijnë shifrën vjetore prej 5 mijë rastesh.