Zbardhen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e ndodhur në hotelin ”Gloria” në Qerret, ku u gjetën pa shenja jete 4 turistë rusë. Mësohet se ata nuk janë asfiksuar brenda saunës ashtu siç edhe pretendoi Policia e Shtetit në njoftimin zyrtar.
Burime për ”Konfidenciale.com”, bëjnë me dije se viktimat; prindërit, vajza dhe dhëndri i tyre janë gjetur bashkë brenda në pishinën dimërore të hotelit, pa shenja jete për shkaqe ende të panjohura.
Ata kishin kërkuar që ambientet e SPA-së përfshirë dhe pishinën e brendshme të ishin gati që pasi të ktheheshin nga vizita e tyre në Ohër të mund të relaksoheshin në to. Punonjësi që përgjigjet për pishinën e kishte pastruar gjatë ditës duke përdorur dhe klor, por është shumë e dyshimtë që asfiksia e tyre të ketë ardhur njëkohësisht dhe për të katërt nga përqindja e klorit në ujë.
Aktualisht janë marrë kampionët e ujit dhe të klorit të përdorur në pishinë, si dhe është matur cilësia e ajrit nga ekspertët. Pistat kryesore janë ato të vrasjes pa gjurmë, asfiksisë nga klori, por po shihet dhe teza e një helmimi të mundshëm nga ushqimi por edhe jo vetëm.
Grupi hetimor po bashkëpunon dhe me ambasadën ruse dhe autoritetet përkatëse për të mësuar më shumë mbi viktimat dhe veçanërisht aktivitetin profesional të dy burrave. Megjithatë pritet që të hënën, të dalin rezultatet e autopsisë për të hedhur më shumë dritë lidhur mbi ngjarjen.
Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousovu u gjetën të pajetë natën e 14 tetorit brenda saundës së hotelit “Gloria” në Qerret.