Tashmë është zyrtare, Stiven Xherrard lë Rejnxhërsin për t’iu bashkuar Aston Vilës në Premier Ligë.
Këtë lajm e ka konfirmuar vetë klubi nga Birmingami, i cili, me anë të një komunikate zyrtare në sajtin e saj, i ka uruar mirëseardhjen 41-vjeçarit britanik.
Xherrard udhëhoqi Rejnxhërsin sezonin e kaluar drejt fitimit të titullit kampion duke qenë i pamposhtur në ligën skoceze, teksa tani më do të ulet në pankinën e skuadrës së Aston Vilës për të filluar kështu një aventurë të re në karrierën e tij. Ish-lojtari legjendar i Liverpulit ka hedhur firmën e tij në kontratë me klubin nga Birmingami dhe është prezantuar me fanelën në sajtin e Aston Vilës.
“Aston Vila është një klub me një histori dhe traditë të pasur në futbollin anglez dhe unë jam jashtëzakonisht krenar që do të bëhem trajneri i ri i saj. Në bisedat e mia me Nasef, Ues dhe pjesën tjetër të Bordit, ishte e qartë se sa ambicioze janë planet e tyre për klubin dhe mezi pres t’i ndihmoj ata të arrijnë qëllimet e tyre”, tha ai. “Timonieri” do debutojë me skuadrën e re menjëherë pas takimeve të Kombëtareve.
Xherrard do të ketë një punë të vështirë përpara, teksa skuadra e Aston Vilës renditet në vendin e 16 në kuotën e 10 pikëve.