Sunday, July 21, 2024

SPAK ndan Metën nga Kryemadhi/ Kreu i PL deklaron divorcin nga bashkëshortja: Kam ndjekur rrugën juridike

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka konfirmuar divorcin me deputeten Monika Kryemadhi.

“Zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin-tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”, ka deklaruar Meta në emisionin “Çim Peka Live” në Syri Tv.

“E përmenda çështjen e mandateve se ajo ka qenë një krisje shumë e madhe mes nesh. Nuk ka qenë lojë dhe nuk është lojë. Çështja e mandate është një krim për popullin shqiptar. Unë kam pritur nga ajo një reflektim nga ajo dhe e deputetëve dhe askush nuk mori në telefon për të pyetur se nëse ti ke dalë kundër çfarë mendon. Nuk e bëra unë kryetare të partisë, ashtu siç e thatë ju. Ajo ka pasur kontributet e veta shumë të mëdha. Pas zgjedhjes time të sforcuar si president, kryetar u bë Petrit Vasili, për shkak të përvojës, qartësisë politike dhe ajo u bë nënkryetare si një mbështetëse dhe për të mbajtur linjën. Dhe më pas erdhën zgjedhjet, rezultati i dobët në Fier dhe presionet e Ramës ndaj deputetëve sepse u duk e qartë që po shkonim drejt opozitës. Më pas u mendua si zgjidhje për të mbajtur më të bashkuar partinë, dhe për shkak energjive që ajo kishte. Ka kontributet e veta që askush nuk ja ka mohuar dhe nuk ja mohon. Por tani kjo është një marrëdhënie, e cila është bërë e pamundur dhe kjo është një zgjidhje më e qetë për të gjithë“, ka shtuar Meta.

Hamendësimet për “krisje” në martesën e tyre kanë qarkulluar kudo muajt e fundit, teksa edhe qasjet në jetën politike i kishin të ndryshme.

Madje Meta konfirmoi në Prill se raporti i tij politik me Kryemadhin nuk është i mirë që pasi ajo vendosi për djegien e mandateve të opozitës në vitin 2019. Por siç duket tensionet mes çiftit u shtuan akoma më shumë kur në mes ‘hyri SPAK-u’. Nga njëra anë ishte Meta që hidhte akuza të njëpasnjëshme ndaj institucionit të drejtësisë, e nga ana tjetër Kryemadhi që tha publikisht se “distancohet nga deklarata të tilla”.

Të shumta kanë qenë dhe thashethemet se ata jetonin në banesa të ndara prej kohësh. Meta ka dalë vazhdimisht në deklarata për shtyp dhe ka bërë zotimin se do ç’rrënjosë nepotizimin nga Partia e Lirisë. Ky i fundit kishte të bënte fiks me bashkëshorten e tij.

Gjërat u bënë disi më të qarta edhe në ditën e mbajtjes së Konventës së Partisë së Lirisë. Kryemadhi u shpreh se më e rëndësishme për të është familja dhe jo politika.

“Normal që ndjej keqardhje. Kam 30 vite jetë politike. Për mua familja është shumë më e rëndësishme se politika. Unë i kam ndihmuar këta të rinj e të reja, jam një akademi politike në këto 30. Megjithatë, prioritetet e Kryemadhit janë Bora, Besi dhe Era”, theksoi Kryemadhi.

Pas një sërë ngjarjesh që kanë rrëmbyer gjithnjë vëmendjen e publikut, tashmë është e sigurt se martesa e tyre shumëvjeçare ka marrë fund. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë celebruar më 29 tetor 1998. Në këtë ditë ata iu betuan njëri-tjetrit pas 5 vitesh lidhje e vetëm 4 muaj që ishin bërë prindër. Ata sot kanë tre fëmijë, Bora, Besar, dhe Era Metaj.

E po t’i kthehemi disa rrëfimeve të Kryemadhit mbi Ilir Metën, mbase do kuptojmë akoma më shumë për faktin se janë tejet të kundërt.

“Jemi njohur në Partinë Socialiste. Unë kam qenë pak e turpshme. Por pastaj pas fejesës jo më. Mua nuk më ka pëlqyer Iliri në fillim, se ai është pak maskilist. Nuk është shumë xhentil, e them në kontekstin e një vajze që ëndërron princin e kaltër. Ne jemi njohur në Nëntor të vitit 1993“, shprehej Monika në 2017-ën.

Në 2021-in, kohë kur Meta ishte President, Monika e tha hapur e pa asnjë kompleks: Me këtë moshë që jemi ne, nuk i hyjmë në punë njëri-tjetrit. Aktualisht nuk fle me presidentin. Është me kushtetutën dhe demokracinë.

“Jemi puthur në fshehtësi, por dhe jemi dashuruar. Nuk jemi martuar me mblesëri. Por nuk mendoj që kjo është gjë shumë e rëndësishme tani, kur kalamajtë na janë bërë nga 20 e ca vjeç e kusur”, vijoi ajo.

Ajo që i lidhi bashkë në jetë ishte politika, siç e kanë thënë të dy. E pikërisht politika, të paktën me çfarë dihet deri më tani, i dha fund dashurisë së tyre.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë