Pjesë të një droni rus ranë në territorin e Rumanisë, tha të mërkurën ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Angel Tilvar, sipas televizionit Antena 3 CNN.
Të martën, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se sulmet e reja në shtetin fqinj, Ukrainë, ndodhën “shumë, shumë pranë” kufirit rumun, pasi Rusia kreu sulme të vazhdueshme mbi infrastrukturën e Danubit në jug të Ukrainës.
“Sulme pati sot, më tregoi ministri i Mbrojtjes, të cilat u verifikuan 800 metra larg kufirit tonë. Shumë, shumë afër”, tha Iohannis gjatë një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, më 5 shtator.
Njoftimi i Iohannis erdhi, pasi Ukraina tha të hënën se dronët rusë ranë dhe shpërthyen në territorin rumun gjatë natës së 4 gushtit.
“Sipas Shërbimit shtetëror të Rojeve Kufitare të Ukrainës, ‘Shahedët’ [lloj dronësh të prodhimit iranian] ranë dhe shpërthyen në territorin rumun natën, gjatë një sulmi masiv rus pranë portit të Izmailit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko të hënën.
Por, Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë i pati mohuar këto pretendime.
Kjo ministri tha se sulmi me dronë në infrastrukturën e portit të Izmailit nuk paraqiti kërcënim direkt ushtarak për Rumaninë, shtet anëtar të NATO-s.