Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përfshira në sulmet ajrore që Izraeli ndërmori kundër Iranit, duke vënë në dukje se Izraeli i kishte “këshilluar” SHBA-të se besonte se “veprimi ishte i nevojshëm për vetëmbrojtje”.
“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në sulme kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është mbrojtja e forcave amerikane në rajon. Izraeli na njoftoi se beson që ky veprim ishte i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij. Presidenti Trump dhe Administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë. Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin e SHBA-së”, tha ai.
Izraeli ka kryer sulme në Iran mëngjesin e së premtes, duke thënë se ka goditur objektet bërthamore dhe ushtarake të tij, dhe duke paralajmëruar se sulmet do të vazhdojnë me qëllim për të mos e lejuar Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.
Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.