Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi një mbledhje këtë të hënë. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai i dha udhëzimet deputetëve të tij në këtë sesion parlamentar. Do të jenë disa çështje kryesore që do të shoqërojnë jetën politike. Rama nisi me Këshillimin Kombëtar, vazhdoi me zgjedhjet e pjesshme lokale dhe përfundoi me çështjen e Presidentit të ri.
Në mbledhjen e grupit parlamentar Kryeministri Edi Rama tha se në muajin Prill duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës. Ai i kërkoi deputetëve të tij që të gjejnë mënyra se si të këshillohen edhe me qytetarët për këtë vendimmarrje. Kryeministri tha se me situatën në PD është i vështirë dialogu me opozitën. Figura e re e presidentit, sipas kreut të qeverisë, duhet të kthejë normalitetin në zyrën e presidencës, ndërsa përmendi se në krye të shtetit mund të jetë edhe një grua, ose një qytetar shqiptar “në territorin shpirtëror të kombit”.
“Në muajin Prill do na duhet të zgjedhim Presidentin e Republikës dhe do ta zgjedhë ky grup parlamentar në radhë të parë. Komplikimi i skajshëm i situatës me krijimin e 2 Partive Demokratike na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku ta kërkojmë dialogun me opozitën parlamentare ndërkohë duhet të mendojnë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Në një mënyrë apo tjetër duhet të gjejmë rrugën për të mbledhur opinionet e njerëzve lidhur me figurën e Presidentit apo Presidentes së re të Republikës, pas një serie personazhesh që e kanë degraduar figurën e presidencës në një prezencë minuese për institucionin e presidencës për të thënë më të paktën, ne kemi përgjegjësinë e madhe qytetare politike dhe kushtetuese që t’i japim popullit shqiptar në krye të shtetit një njeri normal në radhë të parë. Një kryetar dhe kryetare shteti që t’i kthejë normalitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së presidentit. Nuk do të bjerë nga qielli, me siguri do të gjendet mes nesh këtu në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo në territorin shpirtëror të kombit tonë se mund të jetë edhe jashtë Republikës së Shqipërisë, por e kemi detyrim që t’i japim asaj zyre mundësinë që për 5 vitet e ardhshme të ketë një njeri normal”, tha Rama.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit. Rama tha se PS do ta marrë me seriozitet garën ndërsa nuk la pa thumbuar edhe kundërshtarët e tij.
“Një objektiv i ri afatshkurtër është shfaqur papritur para nesh me nxjerrjen e dekreteve për zgjedhjen e pjesshme vendore në 6 bashki pas një periudhe të gjatë shkeljeje dhe shtypjeje të Kushtetutës nga ana e zotërisë, i cili e mban në këmbë institucionin e kreut të shtetit peng të hënës së tij, edhe për pak kohë fatmirësisht. Sigurisht që ne do ta përmbushim me seriozitet detyrimin tonë për të garuar dhe për të bërë me përkushtim pjesën tonë që në 6 njësitë vendore të zgjidhen kandidatët e PS. Për fushatën përkatëse të këtyre 6 zgjedhjeve do të organizohemi sa mirë, por duke mos lënë pas dore asnjë angazhim tjetër, por mbi të gjitha duke mos humbur fokusin nga Këshillimi Kombëtar në tërë territorin e vendit sepse është edhe një shtysë që të gjithë deputetët dhe deputetet të kthehen te njerëzit dhe të rrinë pranë njerëzve.
Forcat e angazhuara në këto 6 bashki do të jenë thuajse tërësisht vendore, pra deputetët dhe partia e këtyre njësive, së bashku me drejtuesin e qarkut. Mesazhet tona duhet të jenë thuajse tërësisht të lidhura me hallet, problemet dhe shpresat e komuniteteve këtyre bashkive. Sa më pak politikë në këto zgjedhje aq më mirë pasi politikisht panorama e këtyre zgjedhjeve është krejt e qartë për të gjithë. Nga njëra anë ne me ofertën tonë të punës për komunitetin, nga ana tjetër kundërshtarët tanë politikë. Në 6 sheshe për 12 ose 18 përsheshe. Varet si do rreshtohen, po 12 minimumi, 18 e mundshme, edhe më shumë, mbase. Nga njëra anë ne 6 kandidatë të cilët do të ofrojnë mundësi zgjedhjeje bazuar te puna konkrete, nga ana tjetër ata me 12, 18 ose më shumë kandidatë që të luftojnë për mbështetjen politike të 2 apo 3 udhëheqësve partiakë këtu në Tiranë dhe që s’kanë asnjë lidhje me këto zgjedhje në vetvete.
Nga njëra anë ne, këta që jemi, me të mirat, me të metat tona, në një garë për të punuar më shumë, më mirë, për Shkodrën, Durrësin, Dibrën, Lushnjen, Vorën dhe Rrogozhinën, nga ana tjetër ata me bravat, varetë, trastat me dekorata, të gjithë kundër të gjithëve për të provuar forcat mes tyre në kurriz të atyre bashkive dhe hipur mbi shpinën e anëtarësive të këtyre partive.
Dy PD, njëra më e madhe se tjetra dhe një tjetër parti më e madhe se të dyja bashkë, ngjitur me të madhen e të trejave. Tre liderë, njëri “grata”, tjetri “non grata”, tjetri të dyja bashkë, edhe “grata” dhe “nongrata”. Tre popuj nga mbrapa tyre, populli i 11 Dhjetorit, populli i 18 Dhjetorit, të dy në sherr për vulën e 8 Janarit dhe populli i 2 Marsit pa dyshim, i treti i vërteti që merr jetë nga sherri mes të paritt hdhe të dytit. Kjo është oferta për demokratët dhe demokratët dhe për të gjithë ata që ende fatkeqësisht dhe gabimisht e quajnë veten ppjesë të këtyre tre popujve ndërkohë që populli shqiptar është i qartë besoj për gjithçka sheh.
Në emër të këtyre tre popujve, do të thirren 6 fushata, të gjithë bravaxhinjtë, qysçinxhinjtë dhe trastazhinjtë për t’i kërcyer në kurriz njëri tjetrit, tamam si Napolonin e vjetër që e mbajnë mend ata të gjeneratës time në oborret e shkollave në Tironë, rraqe-rraqe ki-ki-ko, sa gishta janë këtu”, tha Rama.