Operatorët e komunikimeve elektronike që shfrytëzojnë brezin e radiofrekuencave do të duhet të paguajnë çdo vit për to.
Shqipëria pritet të adoptojë së shpejti direktivën e re të Bashkimit Europian për Komunikimet Elektronike, duke e reflektuar në ndryshimet që do t’i bëhen ligjit “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Aktualisht, operatorët e shërbimeve celulare në Shqipëri paguajnë për të drejtat e përdorimit të frekuencave vetëm në momentin e marrjes ose të rinovimit të autorizimit individual. Pagesa fillestare për marrjen e autorizimit individual për të drejtën e përdorimit të frekuencave përcaktohet me tender, ndërsa rinovimi i saj bëhet nëpërmjet negociatave mes operatorit dhe autoritetit rregullator. Aktualisht, autorizimet individuale për përdorimin e frekuencave mund të kenë një kohëzgjatje maksimale deri në 15 vjet, por me ndryshimet në ligjin organik që rregullon sektorin edhe afati i përdorimit të tyre mund të pësojë ndryshime.
Plani i veprimit për adoptimin e teknologjisë 5G në Shqipëri, i përgatitur nga AKEP në bashkëpunim me një konsulent ndërkombëtar, sugjeron që përcaktimi i pagesave fillestare dhe atyre periodike vjetore për spektrin të vendoset pas konsultimeve publike me palët e interesuara.
Megjithatë, këto pagesa besohet se do të kenë vlera të konsiderueshme. Për shembull, për spektrin e përdorur në frekuencat 3.4-3.8 Mhz, që pritet të jetë ndër brezat që do tenderohen për teknologjinë 5G, vlerësimet janë për pagesa nga operatorët në afërsisht 200 mijë euro në vit.
Plani i veprimit për teknologjinë 5G gjithashtu përmban disa rekomandime të tjera për ndryshime në ligjin “Për Komunkimet Elektronike”, me qëllim lehtësimin e implementimit të kësaj teknologjie. Në nenin 8, që përcakton kompetencat e AKEP, propozohet të shtohet se se AKEP duhet të konsiderojë partneritetin me qytetarët, agjencitë qeveritare dhe korporatat si vullnetarë për të testuar shpejtësinë e ngarkimit dhe shkarkimit për brez të gjerë fiks duke kryer matje të automatizuara, të drejtpërdrejta të shërbimit të ofruar.
Sugjerohet se AKEP gjithashtu duhet të marrë në konsideratë ofrimin e një aplikacioni celular me brez të gjerë duke përdorur teknologjinë e bazuar në smartphone për të mbledhur të dhëna anonime të performancës së rrjetit të internetit me brezi të gjerë. Këto të dhëna do të mblidhen për të ndihmuar në informimin e konsumatorëve, industrisë dhe politikëbërësve mbi mënyrat për të përmirësuar performancën e brezit të gjerë celular në mbarë vendin.
Në të njëjtin nen, që parashikon administrimin nga AKEP për të menaxhuar Fondin e Shërbimit Universal, plani rekomandon vendosjen e një dispozite që parashikon se Qeveria Shqiptare të investojë në ngritjen e një Fondi të tillë për të mundësuar ngritjen e rrjeteve 5G për zonat rurale të vendit. Plani sugjeron edhe një fokus të AKEP në hetimet tarifore. Kjo siguron aftësinë për të filluar një hetim për çdo tarifë të aplikuar nga operatorët para ose pasi të hyjë në fuqi. Hetimet mund të fillojnë me nismën e AKEP ose në përgjigje të një ankese të paraqitur nga një operator tjetër ose konsumator./Revista Monitor