Teksa PS ka nisur sot procedurat për zgjedhjen e zëvendësuesit të tij në postin e presidentit, Ilir Meta thotë se treguesit demografikë të INSTAT po dëshmojnë zbrazjen katastrofike të vendit.
Në një status në rrjetet sociale, Meta shkruan se Shqipëria ka në vit 50 mijë qytetarë më pak edhe përtej edhe skenarit më negativ të parashikueshmërisë.
Kreu i shtetit shprehet se ky është një alarm për ndaljen sa më parë të shterimit asgjësues të popullit.
“Treguesit demografikë të INSTAT, dëshmojnë për zbrazjen katastrofike të vendit. Shqipëria ka në vit 50 mijë qytetarë më pak edhe përtej edhe skenarit më negativ të parashikueshmërisë së zvogëlimit demografik. Thënë ndryshe çdo vit fshihet nga harta popullsia e një qyteti mesatar. Ky është një alarm i kuq për ndaljen sa më parë dhe me çdo kusht të këtij shterimi asgjësues të popullit. Ky model “zhvillimi” nuk është gjë tjetër veçse model dëshpërimi dhe asgjësimi. Koha për të ndalur këtë shkretim, të programuar të vendit nga “Rilindja” lokale dhe ndërkombëtare.”, shkruan Meta.