Presidenti kolumbian, Gustavo Petro ka bërë thirrje për një strategji të re globale për të luftuar trafikun e paligjshëm të drogës.
Duke folur në inaugurimin e tij, Petro e shpalli luftën kundër drogës një dështim, shkruan BBC.
Qindra mijëra njerëz humbën jetën në luftën civile dhjetëvjeçare të Kolumbisë, e nxitur pjesërisht nga tregtia e narkotikëve.
Ish-kryebashkiaku 62-vjeçar i Bogotës dhe ish-luftëtari rebel u zgjodh në qershor, teksa në fushatën e tij radikale premtonte të luftonte pabarazinë dhe të ndalonte projektet e reja të naftës.
Petro i tha një turme mbështetësish të tij në Bogota se është koha për një konventë të re globale që pranon se lufta kundër drogës ka dështuar.
Në Kolumbi, e cila sipas përllogaritjeve prodhon më shumë se gjysmën e kokainës në botë , grupet kriminale janë shumë të përfshira në prodhimin dhe transportin e drogës për konsumatorët në mbarë botën, përfshirë në SHBA dhe Evropë.