Nuk ka humbje të të dhënave nga sulmi kibernetik, po punohet për rikuperim të plotë. Është ky reagimi i Kuvendit të Shqipërisë pas sulmit kibernetik të së hënës.
Në njoftimin zyrtar, institucioni i kuvendit sqaron se ky sulm ka patur qëllim ndërhyrjen në infrastrukturë me qëllim fshirjen e të dhënave.
Gjithashtu thuhet se IP-të e evidentuara gjatë sulmit kibernetik vijnë nga shtete të ndryshme dhe nuk rezulton asnjë IP shqiptare, apo të ndonjë institucioni shtetëror.
Për shkak të këtij hakerimi, dalja live e shërbimeve do të marrë pak kohë për shkak se po verifikohen të gjitha detajet nga ekspertët e IT, me qëllim kthimin në normalitet të faqes së Kuvendit.
Sulmi ndaj institucioni u mor përsipër nga grupi “Homeland Justice” ose “Drejtësi për Atdheun”.
Nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale, ky grup shkruan se “faqja online e Parlamentit është në duart e tyre”.Në vitin 2022, Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike masive në disa institucione, kryesisht ato që ofronin shërbime për qytetarët. Shqipëria bëri përgjegjës Iranin me të cilin ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.