Kosova ka shpallur person të padëshirueshëm shtetasen ruse, Daria Asmalovan për të cilën shumë shtete kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake të Rusisë.
Lajmi është bërë i ditur këtë të dielë nga ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sveçla u shpreh se Asmalovas i është ndaluar për 5 vite hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, kushdo me qëllime dhe direktiva të caktuara që cënon apo tenton të destabilizojë Kosovën, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të vendit.
Një ditë më parë, shtetasja ruse është ndaluar në pikën kufitare në veri të Kosovës dhe më pas është arrestuar nga policia.
Ndalimi i saj, u bë në të njëjtën ditë pasi njësia për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok është sulmuar 10 herë me armë zjarri teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit.
Ndërsa, disa ditë më parë, u shkaktuan tensione në Veri të Kosovës për shkak të vendimit për zbatimin e reciprocitetit të targave dhe letërnjoftimeve për serbët e veriut.
Këta të fundit bllokuan rrugët në shenjë proteste duke përdorur mjete të tonazhit të rëndë.