Kina ka përsëritur këtë të mërkurë kërcënimin e saj për përdorimin e forcës ushtarake për marrjen e kontrollit të Tajvanit, teksa tensioni mes dy vendeve është në nivelin më të lartë në vitet e fundit.
Në deklaratën e Zyrës për Çështje të Tajvanit thuhet se Pekini do të punojë me sinqeritetin më të madh dhe do të bëjë përpjekje që ribashkimi të arrihet në mënyrë paqësore, shkruan US News.
Por në deklaratë theksohej se nuk përjashtohej mundësia e përdorimit të forcës dhe ndërmarrjes së masave të nevojshme.
Sipas Kinës, këto lëvizje të saj janë nxitur nga vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila qëndroi në Tajvan javën e kaluar.
Ditën e djeshme, ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu deklaroi se Kina po përdor stërvitjet ushtarake si një justifikim për t’u përgatitur për një pushtim të ishullit të vetëqeverisur.
Wu u shpreh se Tajvani nuk do të frikësohej, edhe pse stërvitjet ushtarake të Kinës vazhdojnë.