Është shtyrë seanca e zhvilluar këtë të mërkurë për Fredi Belerin, në Gjykatën e Fierit, pasi ky i fundit ka kërkuar lirinë me kusht.
Seanca e radhës do të zhvillohet më 2 shtator, ora 10:00. Drejtoria e Burgjeve ka dorëzuar raportin e sjelljes për Belerin ndersa është kërkuar nga gjyqtari Alfred Ikonomi një raport nga shërbimi i provës.
Prokurorja Okjana Gjergjefi kërkoi të njihej me raportin e Drejtorisë se Burgjeve. Në pritje të raportit nga shërbimi i provës, seanca e radhës u caktua për në datën 2 shtator.
“U shty sepse merr lejen e zakonshme gjykata në gusht. Unë i thashë gjyqtarit, hajde një ditë në punë për këtë çështje, sepse nuk ndalohet, mund ta organizosh lejen e zakonshme edhe në mënyrë të tillë. E kishte planifikuar lejen prej kohësh. “, tha ndër të tjera avokati i Belerit, Geni Gjyzari.
Pas përfundimit të lejes 5 ditore, ku u betua si eurodeputet në Parlamentin Evropian, Beleri deklaroi se do të kërkonte lirinë me kusht.
“Kam kërkuar lirinë me kusht, e drejtë e imja, dhe shpresoj që drejtësia këtë herë të mos ndikohet”, u shpreh ndër të tjera Beleri.