Punëtorët e shpëtimit kanë vazhduar të mërkurën përpjekjet e tyre për të shpëtuar të mbijetuar të bllokuar nën rrënoja, para se të nisë moti i ftohtë dhe reshjet e shiut, përderisa kryeministri japonez tha se shteti është në garë me kohën pasi tërmete të fuqishme goditën perëndimin e shtetit, duke vrarë 62 persona. Dhjetëra persona besohet se kanë mbetur të bllokuar nën ndërtesat e rrëzuara.
Prefektura e Ishikavas dhe zonat përreth u goditën nga një tërmet prej 4.9 ballësh mëngjesin e së hënës – një prej dhjetëra dridhjeve pasuese të tokës pas tërmetit të së hënës prej 7.6 shkallësh të Rihterit, me epiqendër në Ishikava.
Tërmeti i fuqishëm i së hënës nxiti autoritetet të lëshojnë paralajmërime për cunami, ndërkaq në disa vende valët e detit arritën deri në një metër.
Ekspertët kanë thënë se 72 orët e para janë kritike sepse pas tri ditësh mundësitë për mbijetesë veniten.
“Më shumë se 40 orë kanë kaluar. Kjo është garë me kohën dhe mendoj se ne jemi në një moment kritik”, tha për gazetarët kryeministri japonez, Fumio Kishida.
“Ne kemi pranuar raporte se shumë njerëz ende po presin që të shpëtohen pasi gjenden nën rrënojat e ndërtesave të shembura”.