INSTAT ra pre e nje sulmi kibernetik. Përgjegjësinë për të e ka marrë “Homeland Justice”, pas të cilëve dyshohet se fshihen hakerat iranianë.
Me anë të një postimi në kanalin e tyre në Telegram, grupi i hakerave thotë se ka mundur të marrë të dhëna nga ky institucion. Ata kanë publikuar edhe disa nga të dhënat e punonjësve të INSTAT.
Lidhur me këtë sulm, në një reagim zyrtar, INSTAT pohon se nga ekzaminimet e para të kryera nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, rezulton se janë prekur disa nga sistemet e këtij institucioni.
Kjo nuk hera e parë që grupi i hakerave “HomeLand Justice” sulmon faqet online të institucioneve shqiptare. Rasti më i fundit ishte më 25 dhjetor të vitit që lamë pas, ku u sulmua faqja online e Kuvendit. Ndërsa më herët, janë publikuar të dhëna sensitive të qytetarëve por edhe zyrtarëve shqiptarë, ndërsa pati sulme edhe ndaj sistemit “TIMS” të policisë.
Organet e akuzës në Shqipëri kanë nisur një hetim prej vitit 2022 për sa I përket këtyre sulmeve ndërsa më 7 shtator të atij viti, Shqipëria akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online.
Një reagim pati edhe nga Shtetet e Bashkuara të cilët dënuan sulmin kibernetik ndaj aleatit të NATO-s dhe thanë se kishin arritur në përfundimin se pas sulmeve qëndronte Irani.