“Shqiponjat kuqezi” rishkruajnë historinë pas 8-vitesh. Shqipëria është befasuar nga Moldavia në minutat e fundit, por kombëtarja është kualifikuar në Kampionatin Europian, që do të luhet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Taulant Seferi fitoi një 11-metërsh në minutën e 24, ndërsa një minutë më vonë, Cikalleshi u tregua i saktë duke dërguar topin në rrjetë.
Albania are in front on their night of destiny … pic.twitter.com/EoymzjhdC8
— Arben Berisha 𝕩 (@ArbenBerisha) November 17, 2023
Me këtë gol, sulmuesi kuqezi është ngjitur në vendin e tretë të renditjes së golashënuesve të Kombëtares, duke shkuar në kuotën e 13 të tillave, po aq sa Ervin Skela dhe duke parakaluar Armando Sadikun.
Para tij vijnë vetëm Alban Bushi me 14 gola në vendin e dytë dhe Erjon Bogdani me 18 gola në vendin e parë.

Në minutën e 73, kuqezinjtë patën mundësinë e artë për të dyfishuar shifrat. Seferi gjuajti nga e majta por gjeti devijimin e portierit, por më pas traversa i mohoi gëzimin e golit.
Një minutë më vonë, tjetër rast për të realizuar, me gjuajtjen e Bajramit nga jashtë zonës që nuk gjeti trekëndëshin në të majtë të portierit.

Moldavia barazoi rezultatin në minutën e 87. Pas shumë përpjekjesh, moldavët gjetën golin me Baboglo.Shkëndija e parë erdhi nga vendasit në minutën e 16, me Nikolaeskun, i cili në të djathtë detyron me gjuajtjen e tij Berishën të dërgonte topin në këndore.
Në minutën e 33, moldavët kërkuan penallti, por gjyqtari skocez, Uilliam Kollum akordoi pozicionin jashtë loje.
Me këtë barazim, Shqipëria renditet në vendin e parë me 14 pikë, ndërsa Moldavia mban vendin e 3 me 10 pikë, po aq sa Polonia.