Thursday, November 21, 2024

EURO 2024/ Sylvinho: Kroacia, një finale për ne. Të bëjmë maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv

Kombëtarja shqiptare do të luajë të mërkurën e 19 qershorit ndaj Kroacisë ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë të Grupit B në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

Në prag të sfidës së dytë finale për kuqezinjtë që do të luhet në stadiumin e Hamburgut duke nisur nga ora 15:00, trajneri Silvinjo dhe kapiteni i skuadrës Berat Gjimshiti dolën këtë pasdite në konferencën zyrtare për media, ku iu përgjigjën interesit të shumtë të mediave.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo vlerësoi maksimalisht kundërshtarët e kuqezinjve në grupin B të Kampionatit Europian “Gjermani 2024” dhe tha se është kënaqësi që Shqipëria përballet me to, për të mësuar dhe për t’u rritur. Gjithashtu tekniku brazilian shtoi se shanset janë reale për të arritur edhe rezultate pozitive.

Gjendja e skuadrës dhe formacioni i mundshëm për sfidën ndaj Kroacisë? – Nuk ka asnjë problem. Do të zhvillojmë edhe një seancë stërvitore, më pas do të flasim me stafin dhe do të vendosim. Deri tani nuk kemi asnjë problem të gjithë janë gati për sfidën e nesërme ndaj Kroacisë.

A mund ta cilësojmë si një finale këtë sfidë me Kroacinë? – Patjetër. Ky është një grup shumë i vështirë, por është një gëzim shumë i madh për ne, pasi luajmë kundër ekipeve më të mira dhe mësojmë prej tyre. Luhet 90 minuta pa kompromis dhe duhet të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat. Kemi kundërshtarë që luajnë në klubet më të mëdha në botë dhe është e mrekullueshme të luajmë ndaj skuadrave të tilla, ndaj nuk do të heqim dorë asnjëherë për të kërkuar rezultat pozitiv. E respektuam Italinë, por kërkuam të shmangim humbjen deri në fund dhe me pak fat mund t’ia dilnim. Ndoshta ia dalim nesër ndaj Kroacisë.

Ndeshja me Kroacinë? – E kemi studiuar Kroacinë dhe ndaj Spanjës ata u mposhtën 3-0, por luajtën shumë mirë dhe krijuan shumë raste për të shënuar. I krijuan shumë probleme Spanjës, që shënoi golat në vetëm 29 minuta. Kroacia ka lojtarë teknikë, të fortë fizikisht dhe me cilësi të larta pasimi. Kundërshtarët janë shumë të fortë, por edhe ne kemi lojtarë cilësorë si kapiteni Gjimshiti, Asllani, Broja, Muçi, etj., disa prej të cilëve të rinj dhe kanë nevojë ende për t’u rritur. Këto ndeshje do t’i ndihmojnë shumë ata të përmirësohen.

Ndeshja me Italinë? – Nuk është se ne nuk e sulmuam Italinë, por ata nuk na lejuan ta sulmojmë. Kemi sulmuar me tre, por ata kalonin me rreshtimin me 5 mbrapa dhe shumë mesfushorë. Italia është mbrojtur shumë mirë dhe duhet të pranojmë se ky kompeticion ka nivel shumë të lartë. Mos harroni, Italia ka mesfushorë si Jorginho e Barella, dy futbollistë të një niveli shumë të lartë dhe ne duhet të jemi të lumtur që luajmë kundër tyre. Për ne kjo është sfiduese dhe mund të bëjmë shumë, pasi rritemi edhe vetëm duke u përballur me ta. Në këtë këndvështrim, them se kemi bërë një ndeshje të mirë. Kemi shënuar, kemi pësuar dy gola shumë shpejt, por sërish nuk jemi dorëzuar.

Mesfusha e Kroacisë? – Është e vërtetë, mesfusha është zemra e tyre. Kanë emra si Brozovic, Modric, Kovaçiç, apo Perisic, të cilët kanë luajtur dhe luajnë në nivelet më të larta, ndaj do të jetë shumë e vështirë. Duhet të luftojmë shumë dhe të bëjmë kujdes, për të mos u lejuar shumë hapësira, pasi dinë të shfrytëzojnë çdo gabim.

Kapiteni i skuadrës, Berat Gjimshiti u shpreh se Shqipëria do të tentojë të bëjë më të mirën nesër në fushë ndaj Kroacisë dhe kuqezinjtë të marrin rezultat pozitiv. Kapiteni foli edhe për gjendjen aktuale psikologjike të skuadrës, ndërsa tha se ekipi duhet të mos bëjë gabime në fushë. Më tej, mbrojtësi kuqezi shtoi se duhet të tregohen më inteligjentë në fushën e lojës dhe kur të jetë e nevojshme të ulin ritmin e kundërshtarit.

Sa ndryshon Shqipëria nga Kroacia? – Kroacia është në rolin e favoritit. Besoj që u duk në ndeshjen kundër Italisë, kur kemi përballë kampion siç ishte Italia, çdo gabim i vogël ndikon. Ne duhet t’i përmirësojmë ato episode që të bëjmë më mirë ndaj Kroacisë.”

Bisedë me Pasalic? – Kur kam qenë tek Atalanta kemi bërë shaka, tani jo. Më ka thënë që Kroacia nuk ka luajtur kurrë ndaj Shqipërisë dhe do jetë një ndeshje e bukur. Jam i lumtur që do shihemi nesër në fushë së bashku.

Si është gjendja psikologjike e skuadrës? – Gjendja psikologjike është më e rëndësishme tani sesa lodhja fizike sepse ajo bën ndryshimin në lojë. Kam folur me disa lojtarë, duhet t’u japësh kurajo për ndeshjen e radhës. Nuk ishte e lehtë ndeshja e parë, kishim edhe ne pritshmëritë ndryshe. Të përmirësohemi dhe të mësojmë diçka. Kam pak më shumë eksperiencë se disa prej lojtarëve të tjerë këtu dhe mundohem t’i ndihmoj lojtarët më të rinj dhe t’u jap kurajo. Këto gjëra ndodhin, do kenë dhe shumë ndeshje të tjera në jetë që mund të jenë më ‘keq’ se ndeshja me Italinë.

Duhet të kuptojmë ritmin e lojës: E kam thënë edhe pas pjesës së parë me Italinë, duhet të jesh inteligjent në këto ndeshje, te kesh eksperiencë dhe të ndalësh ritmin e kundërshtarit sepse rivalë të këtyre niveleve të larta të bëjnë dëm dhe duhet të përmirësohemi. Në fushë duhet të jemi pak ‘të pisët’ dhe të marrim atë që meritojmë.

Kroacia nesër luan për tre pikët? – Nuk ishte ndeshje e mirë e Kroacisë ndaj Spanjës, humbën 3-0. Nuk ishte një ndeshje e lehtë as për ata dhe as për ne. Kjo është një mundësi për të reaguar për atë rezultat dhe do të jetë e vështirë si për ata si për ne. Ne do të tentojmë më të mirën dhe do të shohim se kush do të fitojë nesër.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë