SPAK goditi sot një pjesë të bandës së aferës 400 milionë euro me inceneratorët, fabrikat e djegies së plehrave, ndërsa rrethoi me shirit krimi inceneratorin e Elbasanit dhe Tiranës, simbol i korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës.
SPAK ka arrestuar sot një nga ‘peshqit e mëdhenj’ ish-ministrin e Mjedisit Lefter, si dhe Stela Gugallen dhe Klodian Zoton, dyshen që kanë kompanitë, të cilat janë përdorur nga pushtetarët për të vjedhur paratë në buxhetin e shtetit, për t’i ndarë më pas mes klientëve dhe pushtetarëve. SPAK po vijon hetimet për pjesën tjetër grupit: Damian Gjiknurin, Alqi Bllakon, Erion Veliajn, Armando Subashin, Mirel Mërtirin, segmente mediatike dhe personazhe të tjerë të pazbuluar ende.
Si vidheshin paratë?
Skema e zbardhur nga SPAK është pikërisht ajo që “Pamfleti” ka denoncuar prej dy vitesh. Lefter Koka, kur ishte ministër Mjedisi dhe Alqi Bllako si sekretar i përgjithshëm, sot deputet, i dhanë në mënyrë korruptive me koncension ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit kompanisë së Klodian Zotos, “Albtek Energy” sh.p.k.
Tenderi është bërë pa garë, pasi gara rrezikonte të prishte pazarin.
Klodian Zoto kontrakton më pas për të bërë punimet kompaninë “Integrated Technology Services” sh.p.k. Administratore e kësaj kompanie është Stela Gugallja, bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit, e cila rezulton aksionere në inceneratorin e Elbasanit. Nga ana tjetër Klodian Zoto dhe Mërtiri janë aksionerët kryesorë në inceneratorët e Tiranës dhe Fierit.
Klodian Zoto dhe Stela Gugallja paraqisnin letrat për punime fiktive dhe merrnin paratë në buxhetin e shtetit. Një pjesë të parave ia jepnin Lefter Kokës. SPAK ka zbuluar të paktën 3.7 milionë euro që Klodian Zoto dhe Stela Gugallja kanë kaluar në xhepat e Lefter Kokës, në formë ryshfeti për dhënien e koncensionit me paracaktim.
Lefter Koka i merrte paratë përmes një rrjeti kompanish, duke paraqitur fatura fiktive. Koka mund t’i merrte paratë edhe me çantë, por kërkonte që t’i pastronte paratë e korrupsionit.
Lefter Koka, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë vetëm një pjesë e bandës që ka vjedhur paratë e shqiptarëve në buxhetin e shtetit. Pjesa kryesore e bandës është mafiozi famëkeq Mirel Mërtiri, i cili shëtit me avion privat. SPAK po ndjek rrugën e parave të tjera të inceneratorit të Elbasanit si dhe të inceneratorëve të Tiranës dhe Fierit, ku njeriu kyç që ka ndarë paratë është mafiozi Mirel Mërtiri.