Në Tiranë, më 16 tetor po mbahet samiti i Procesit të Berlinit në të cilin, përveç prezantimit të një pakoje të re të investimeve nga Bashkimi Evropian, po diskutohet edhe për sulmin në veri të Kosovës më 24 shtator.
“Plani i ri i rritjes” është një paketë e gjerë investimesh e Bashkimit Evropian, që pritet të shpaloset gjatë punimeve të samitit në Tiranë të Shqipërisë.
“Ky plan ka potencial nëse vihet në zbatim siç duhet, ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e përbashkët të BE-së, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme”, deklaroi më 15 tetor presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Para nisjes së samitit, von der Leyen, ndërkaq tha se takimi do të sjellë një mesazh të fortë.
“Është një samit shumë i veçantë ky që kemi sot. Besoj se përcjell një mesazh të fuqishëm, se sa të përkushtuar jemi ndaj zgjerimit [të BE-së]. Një nga temat kryesore do të jetë ekonomia e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye kam prezantuar planin e rritjes. Duam që t’u japim qasje në tregun e përbashkët evropian. Për këtë, na duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnetin të reformohen, do të marrin financim nga Bashkimi Evropian. Është një stimul për ata që vërtet duan të ecin përpara. Dyert tona janë të hapura, kështu që le të punojmë për këtë të çuar para këtë plan rritjeje”, tha shefja e KE-së.