Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e së dielës në fshatin Resulaj në Vlorë, ku Eqerem Zykaj 80 vjeç dhe gruaja e tij, Mynyre Zykaj 75 vjeçe, teksa ishin duke ujitur në arë, dyshohet se kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë kanë ndërruar jetë.
Për ABC News, folën disa nga fqinjët e tyre, të cilët theksuan se teli i energjisë elektrike ishte i këputur.
“Është këputur teli që dje, iu thashë merr elektriçistin se do të zejë korenti. Nuk di gjë tjetër, dje kam ardhur në orën 12. Sot u nisa, shkonim ditë për ditë te njëra-tjetra, më tha do vij sot dhe nuk erdhi. Një grua dhe një burrë në punën e tyre, të vdesin nga korenti, nuk e di, kjo lagja jonë është e vdekur. Ne vuajmë për drita, pa rrugë, pa ujë, pa drita. Kemi qenë 3 ditë pa drita, kemi marrë në telefon, e lidhim me alumin atë, një masë të bëjë, këputet. Ne çdo ditë jemi pa drita”, shprehen ata.