Gjashtë personave të arrestuar nën dyshimin se në muajin qershor kishin kryer trafikimin e një 11-vjeçareje në Prishtinë, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
11-vjeçarja është përdhunuar edhe nga pesë persona më 27 gusht. Për pesë të dyshuarit, autoritetet në Kosovë kanë caktuar masën e paraburgimit prej nga një muaji për secilin.
Për rastin, më 30 gusht ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti për “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”.
Një ditë pas dorëheqje ka dhënë edhe Ali Gashi, i cili ka udhëhequr Drejtorinë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Më 2 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar edhe për dy shkarkime.
“Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës”.