Anëtarët e shoqërisë civile në Turqi janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre, ndërsa po bien financimet ndërkombëtare.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, donatorë të rëndësishëm i kanë dhënë fund, ose e kanë pakësuar kontributin e tyre, ndërsa Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, tashmë i fuqizuar edhe më tej nga rizgjedhja, vazhdon të shtypë zërat disidentë.
I fuqizuar nga rizgjedhja në muajin maj, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vazhdon të shtypë elementët e shoqërisë civile turke, që ai i akuzon se rrezikojnë demokracinë.
Aktivistët e organizatës “SpoD”, Shoqata për Studimin e Politikave Sociale, Identitetit Gjinor dhe Orientimit Seksual, thonë se po përballen me një betejë financiare për të mbijetuar, për shkak të rënies së mbështetjes ndërkombëtare. Pakësimi i fondeve po ndikon tek aspekte si linjat telefonike të dedikuara për shërbimet, si dhe mbështetja ligjore dhe psikologjike për personat që identifikohen si anëtarë të komunitetit LGBTQ.
“Që nga zgjedhjet, po bie përqindja e financimeve. Është e pamundur të vazhdojmë të gjitha aktivitetet bazuar në vullnetarizëm. Kështu që këto financime janë të rëndësishme për mbijetesën e organizatave”, thotë Ogulcan Yediveren, nga organizata “SPOD”.
Vëzhguesit thonë se rizgjedhja e zotit Erdogan krijon një trysni të mëtejshme ndaj disidentëve, të cilët thonë se kjo vetëm mund t’i shtojë pikëpyetjet e donatorëve se sa mund t’ia vlejë financimi i organizatave civile turke.
“Ka një rënie, një hezitim nga donatorët ndërkombëtarë për Turqinë. Dhe kjo është shtuar, në veçanti pas zgjedhjeve”, thotë Sinan Gokcen, nga organizata “Mbrojtësit e të Drejtave Civile”.
Mbështetja financiare vendase gjithashtu u pakësua pasi filantropit turk Osman Kavala iu dha dënim me burgim të përjetshëm për përpjekje për rrëzimin e qeverisë. Ai u shpall fajtor për mbështetjen e protestave mbarëkombëtare të Gezit në vitin 2013 kundër politikave të zotit Erdogan. Vendimi është kritikuar nga Uashingtoni dhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Por Presidenti Erdogan ka mbrojtur dënimin për zotin Kavala dhe akuzon grupet e shoqërisë civile, si ato që mbështet zoti Kavala, se komplotuan me donatorët për të dëmtuar qeverisjen e tij.
“Ekziston një person që financoi terroristët në ngjarjet e Gezit. Tashmë Kavala gjendet pas hekurave. Dhe kush fshihet pas tij? I famshmi hebre hungarez Soros”, tha zoti Erdogan.
Për shkak të trysnisë nga qeveria turke, filantropi hungarezo-amerikan George Soros është tërhequr nga Turqia, pas një mbështetjeje domethënëse për shoqërinë civile që zgjati deri në vitin 2018.
Aktivistët paralajmërojnë se një tjetër financues anonim nga Evropa pritet të tërhiqet nga Turqia deri në fund të këtij viti.
“Open Society nuk financon më programe në Turqi. Mendoj se ishin rreth 2 milionë dollarë për shoqërinë civile dhe 2 milionë të tjera për organizatat e refugjatëve. Një tjetër organizatë shumë e veçantë, Fondacioni Chrest nga Shtetet e Bashkuara, gjithashtu e ndali financimin pasi u sulmua ashpër nga mediat pro-qeverisë”, thotë Ekrem Murat Celikkan, “Qendra për të Vërtetën, Kujtesën dhe Drejtësinë”.
Zyrtarët e Fondacionit Chrest nuk iu përgjigjën kërkesës së Zërit të Amerikës për të komentuar, ndërsa donatorët që po i zhvendosin fondet drejt kauzave të tjera, kërkuan të mos evidentohen me emër, për shkak të situatës delikate./VOA