Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se Parku i Butrintit nuk mund të administrohet nga organizma shoqërorë, të tilla si OJF-të.
Në një deklaratë për mediat nga Presidenca, Meta u shpreh se sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, të cilën Shqipëria e ka nënshkruar, përgjegjësia e ruajtjes dhe administrimit të pasurive i takon shtetit.
“Sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, përgjegjësia e ruajtjes dhe administrimit të pasurive që përbëjnë trashëgimi kulturore universale, nuk mund të kalojë kurrsesi në një organizëm shoqëror siç janë OJF-të.
Por, ajo ngelet përgjegjësi e shtetit që ka nënshkruar konventën. Në asnjë rast nuk parashikohet që këto fondacione të kenë të drejta administrimi, me të gjitha tagrat të një pasurie të paluajtshme me vlerë të tillë si Parku Kombëtar i Butrintit, siç synohet t’i jepet sipas marrëveshjes së propozuar”, theksoi Kreu i Shtetit.