Ish Presidenti Donald Trump u shpreh me një gjuhë të zymtë dhe të trishtuar të mërkurën për Ukrainën, duke iu referuar popullit të saj si “të vdekur” dhe vetë shteti si “të shkatërruar”. Komentet e tij bënë që të shtohen më tej dyshimet se sa shumë lëshime do të jetë ai i gatshëm të bëjë, nëse zgjidhet sërish president, në negociata rreth të ardhmes së Ukrainës.
Zoti Trump argumentoi se Ukraina duhej t’i kishte bërë lëshime Presidentit rus Vladimir Putin në muajt para sulmit të Rusisë në shkurt të vitit 2022, duke shtuar se edhe “marrëveshja më e keqe do të ishte më e mirë se gjendja aktuale.”
Zoti Trump, i cili prej një kohe të gjatë i ka kritikuar ndihmat amerikane për Ukrainën, shpesh thotë se Rusia kurrë nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën nëse ai do kishte qënë president dhe se ai do t’i jepte fund luftës nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Por ai rrallë herë ka diskutuar për konfliktin me detaje të këtilla.
Komentet e tij, në një aktivitet në Karolinën e Veriut ku ai supozohej të mbante një fjalim për ekonominë, erdhën pas një debati gjatë këtij muaji kur ai refuzoi të thoshte nëse ai dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën. Të martën, zoti Trump foli me tone pozitive për aftësinë e Rusisë dhe të paraardhëses së saj, Bashkimit Sovjetik, duke thënë se ata kanë përvojë në luftra.
Ish presidenti republikan, i njohur për përdorimin e fjalëve të rënda ndaj kritikëve të tij, i filloi denoncimet ndaj Ukrainës duke iu referuar kritikave të bëra së fundmi nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ndaj tij dhe kandidatit të tij për nënpresident, JD Vance.