Blendi Teta ka dëshmuar në procesin gjyqësor në ngarkim të Leonard dhe Elis Dukës, Fatmir Hysenit, Oltion Logut, Aleksandër Manxhakut dhe Dritan Agajt.
Procesi është duke u zhvilluar në mungesë. Të pandehurit akuzohen për vrasjen e Santiago Malkos në 27 gusht të 2019.
Teta është shprehur se në shtator të vitit 2019, u takua me Ervis Martinajn. Më pas, Martinaj dhe grupi i tij e kanmë dërguar në një bodrum në Sauk.
Aty, ata e kanë kërcënuar se do ta vrasin dhe donin të dinin se kishte i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos, e ku rrinin vëllezërit Duka. Por Martinaj dhe grupi i tij, e lanë të lirë.
“Dua të sqaroj e nderuar gjykatë që edhe pse e dija që isha në kërkim për llotot, unë lëvizja. Në datën 8 ose 9 shtator të 2019, Ervis Martinaj ka kërkuar të më takojë. Për këtë gjë ai me ka sjellë për të më takuar një nga djemtë e tij me emrin Arbër. E kam takuar Martinajn po atë ditë tek “ETC”, në një lokal në katin e dytë. Ai ishte aty me disa nga anëtarët e grupit të tij, mes tyre edhe Erigers Mihasi. Aty Martinaj më tregoi videon time kur po prisja taksinë pranë spitalit. Aty më kërcënuan dhe më kërkoi të tregoj për vëllezërit Duka.
Më pas më ka marrë dhe nën kërcënimin e armëve më kanë dërguar në një bodrum në Sauk. Aty më kanë kërcënuar duke më thënë se të tregoja se kush ishte i përfshirë në ngjarjen e Malkos dhe se ku rrinin vëllezërit Duka. U kam sqaruar se nuk di asgjë. Martinaj dhe grupi i tij më kërcënuan se do më vrisnin dhe do më murosnin. Më pas ata më kanë lënë të lirë”, tha Teta ndër të tjera në dëshminë e tij.
Blendi Teta është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Malkos. I bashkëpandehuri tjetër Ilir Selmani i cili u dënua me 28 vite burg, kishte sjellë një deklaratë ku theksonte se ishte i sëmurë dhe se do të vinte për të dhënë shpjegime në gjykatë në seancën e radhës. Po ashtu prokuroria kërkon që të thirret edhe Adjan Ahmeti pasi nuk është bërë e mundur të gjendet. Seanca e radhës do të zhvillohet në 19 dhjetor.