Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe ato do të jenë të hapura deri në orën 19:00.
Mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë të drejtë vote.
Procesi i votimit ka nisur edhe në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe.
Serbët në veri gjerësisht kishin bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat në veri, pasi Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, u tërhoq nga institucionet e Kosovës.
Kjo është hera e parë që ata u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.
Atyre u është bashkëngjitur kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili edhe ai ka votuar.
Ndërkaq, më 8 shkurt, për herë të parë qytetarët e Kosovës në diasporë kanë mundur të votojnë në përfaqësi diplomatike në 19 shtete të ndryshme të botës. Po ashtu, është përmbyllur edhe procesi i votimit me postë.