Këshilli Evropian do të diskutojë sot për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Evropian (BE), pas një dite të ngjeshur me takime të shumta por të pafrytshme mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve me liderët e BE-së të enjten në Bruksel.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha në një konferencë të enjten pasmesnate se Këshilli nuk diskutoi dje për marrëdhëniet mes dy vendeve ballkanike, duke shtuar se “ne e mbështesim normalizimin e raporteve dhe shtensionimin [e situatës]. Për këtë do të diskutojmë nesër [e premte] në takimin e Këshillit”.
Gjatë takimit të sotëm të Këshillit, liderët e BE-së pritet ta shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri, të kërkojnë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e rastit.
Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë do t’iu kërkohet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu pa vonesa dhe pa parakushte.