Thursday, March 28, 2024

Zgjedhjet bashkiake, demokratët zgjedhin kandidatët përmes primareve

Rreth 14 mijë anëtarë të Partisë Demokratike janë thirrur për të votuar përmes primareve kandidatin që duan t’i përfaqësojë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit për kryetar Bashkie në Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë.

Votimi për 22 kandidatët në garë që më herët kaluan filtrin e Komisionit të Rithemelimit nisi në orën 8:00 të mëngjesit për t’u mbyllur në orën 17:00 të pasdites.

Sipas Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike në këto primare ka patur një interes të lartë.

Nga Shkodra kryetarja e bashkisë në detyrë Voltana Ademi, e cila nuk u bë pjesë e garës mohoi se pas moskandidimit të saj fshihet diçka tjetër, duke i ftuar demokratët të japin një leksion demokracie për vendin.

“Jam nga ato që e kam mbështetur lëvizjen e Sali Berishës, do vijoj të jem aktive për këtë. Të sigurohemi që do të kemi pjesëmarrje sa më të mirë të njerëzve që mbështesin gjithë kandidatët ne do sigurojmë një maksimalizim të përfaqësimit të qytetit. Një thirrje për qytetarët për të votuar në 6 mars. Bëhet fjalë për një leksion demokracie që ne duhet ta japim.”

Ndërsa deputeti Flamur Noka nga Vora ironizoi përzgjedhjen e kandidatëve të Lulzim Bashës.

“Shoqata e bravave nuk po gjen dot kandidatë në 6 bashkitë që ka garë dhe nuk ka asnjë aleat. Aleatët e kanë braktisur. Ditët në vazhdim, deri ditën e mërkurë që është afati i fundit për regjistrim do ta shihni se si do konkludojmë dhe si do t’i finalizojmë marrëveshjet. Sot është një hap i madh për demokratët pasi anëtarësia vendosen se kush do ta përfaqësojë, ndryshe nga modeli i zarfeve dhe emërimeve.”

Në Shkodër, që njihet edhe si bastion i demokratëve në votim janë Alfred Kocobashi, Arben Maliqi, Astrit Bushati, Bardh Spahia, Irena Shestani Shala dhe Irma Kopliku Alushi.

Në Durrës gara zhvillohet mes Ardian Mukës dhe Silvja Gjepalit.

Për Bashkinë e Lushnjes demokratët e kësaj dege janë ftuar të zgjedhin mes katër kandidatëve, Arben Zaimit, Elton Banos, Eurion Iljazit dhe Indrit Qerimit.

Behar Dema, Dafina Muda, dhe Premtim Kryemadhi kandidojnë në këto primare për Bashkinë e Dibrës.

Në Vorë anëtarët e Partisë Demokratike do të zgjedhin mes Luan Betës dhe Lulzim Vranës.

Ndërsa në Rrogozhinë gara zhvillohet mes 5 kandidatëve, Eqerem Deliut, Hajrulla Tafës, Hekuran Xhanit, Sokol Gosës dhe Vladimir Manushit.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë