Thursday, March 28, 2024

Tre armiqtë nga Bermuda, si kali i Bashës për të kaluar lumin

Nga: Lorenc Vangjeli

Lajmet dhe debatet që mbanin në titull Trekëndëshin shqiptar të Bermudës tani i përkasin arkivit. Nga e hëna që vjen, në Kuvend dhe në Foltore, dy polet e rinj të debatit, do të prodhohen të tjera fjali që do të shërbejnë si tituj mediash dhe si bindje e thellë se politika shqiptare prodhon më shumë tension sesa mund të konsumojë dhe se mbijeton vetëm duke konsumuar tensionin e saj. Ndryshe, paqja dhe qetësia do të ishin prova për të kuptuar sesa sipërfaqësore është politika lokale në mendim dhe sesa egoiste është në çdo veprim që ajo ndërmerr.

Trekëndëshi i Bermudës nuk bën përjashtim nga kjo ligjësi e trishtuar dhe është një element më shumë për të dëshmuar se Tirana është siç nuk duhej të ishte dhe do të jetë ende për shumë kohë, njëlloj siç është tani.

Loja mes të njëjtëve personazhe, shkëmbimi i vendeve mes të njëjtëve aktorë, nuk mund të prodhojë asgjë të re, përveçse ndryshimit që vjen nga reflektimi i pozicioneve të tyre me njëri-tjetrin. E po kështu, edhe refleksi i tyre në publik. Kush predikonte deri dje si kallashnikov me breshëri mosbindje civile, kush predikonte revolucion nga filxhani, kush fliste për luftë kundër diktaturës dhe mohonte votën si mjet të vetëm ndryshimi, kush mendonte se dhuna e bojkoti ishte gjuha e vetme me të cilën duhej dialoguar me Ramën në Tiranë, sot kur sheh parlamentin, duhet të bëhet gisht për t’u tundur përpara hundës vetjake.

Sepse nëse opozita e djeshme do të ishte më së paku normale, nëse do të respektonte rregullat e lojës, Edi Rama nuk do të kishte asnje shans për të mandat të tretë. Kjo është e vërteta e thjeshtë nga e cila përfituan fituesit dhe që po qajnë ende humbësit, që tashmë duhet të luten për një mrekulli që të pengojë një mandat të katërt të socialistëve.

Sot opozita zyrtare e legale po tenton të bëjë të njëjtën gjë që duhet të kishte bërë dikur, por në rrethana të ndryshme.

Tani, me “elegancë” foke në propozimet për ndryshime kushtetuese dhe sjelljen e saj akuzatore e luftarake në Kuvend, ajo po synon gabimisht të zgjidhë një problem duke shtruar për zgjidhje probleme të tjera.

PD është përballë sfidës politike të shkaktuar nga ndërhyrja amerikane për statusin e Sali Berishës. Amerikanët bënë atë që shqiptarët në përgjithësi dhe Sali Berisha Junior në veçanti, nuk arritën ta bëjnë: të parët edhe mbas tre dekadave që janë dominuar prej Sali Berishës, i dyti edhe mbas tetë vjetësh, kur mbasi i trashëgoi partinë, thjesht e imitoi atë, madje duke u bërë shumë më radikal edhe se vetë Mjeshtri i hershëm i sherrit.

Në PD ka një sfidë politike, të cilës partia legale po i përgjigjet me gjuhë teknike duke kërkuar të shmangë me procedurë një hall politik. Për t’ju përgjigjur Berishës, Basha thirri në apel dy armiqësi të reja, gjë që do të ishte shumë normale në një kohë tjetër, por që u harruan sërish shpejt sepse ata nuk janë beteja që do të luftojë, por janë vetëm armë për një luftë tjetër.

Dy kulmet që ai i përfshiu në trekëndëshin e tij, madje vetë trekëndëshin, ai kërkon ta përdorë kundër Berishës. Kur mallkon qeverisjen e Ramës, ai ka parasysh Berishën, kur e gozhdon edhe Metën brenda armiqësisë së tij, ai i bie me çekiç gozhdës së Berishës. Eshtë si ata lojtarët që kur humbin dorë mbas dore në poker, edhe pse nuk ju ka mbetur ndonjë shumë e madhe në xhep, luajnë blofin duke trefishuar bastin.

Nga ana tjetër as tre “armiqtë” bashkë të Bashës nuk mund t’i bëjnë atij më shumë sesa do t’i bënte secili prej tyre vec e vec: ta lejonin të humbiste sërish! Sepse nuk i mësuan një të vërtetë të thjeshtë në kohën kur radikalët tentuan ta përdorin atë si mjet për të zgjidhur gjithë frustrimet ndaj Edi Ramës: suksesi në politikë kalon vetëm nga porta e përunjësisë dhe sakrificës vetjake.

Dhe as përunjësia dhe as sakrifica nuk jetojnë as në vila dhe as në kate të lartë! Nuk i treguan mbi të gjitha, se vazhdon të jetë e marrë shpresa që për të pasur rezultat të ndryshëm, përdoren të njëjta mjete dhe të njëjtët instrumente.

Trekëndëshi i Bermudës është vetëm një kalë i rradhës për të kaluar lumin. Dhe nëse Berisha është padyshim halli që duhet zgjidhur, Basha nuk është ura që mund të lidhë dy brigje. Qoftë edhe si boshllëk në mes, ai është gjithashtu një kulm Shumëkëndëshi.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë