Friday, March 29, 2024

Shqipëria si Kosova, në dorë të ambasadave të Quint-it dhe PD-ja e re

Nga: Ben Andoni

Primatët e ambasadave të vendeve anëtare të QUINT-it janë respektivisht ambasadorët e SHBA-ve, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, që ushtrojnë detyrën e tyre dhe nëpërmjet këtij organizimi honorifik në Prishtinë thirren për çdo problem. Në Kosovë pushteti i tyre de jure është i limituar, pasi e kanë njohur Republikën më të re të kontinentit pa asnjë parakusht, por de facto ata janë pushtet ose më saktë udhëzuesit e pushtetit të çdo krahu politik në Kosovë. Ashtu si mund të merret me mënd, fuqinë kryesore e ka përfaqësia e SHBA-ve, kjo për shkak të kontributit që ka dhënë për pavarësinë e Kosovës por edhe fushatës së madhe që ka bërë dhe bën për shtrirjen e njohjeve të saj, kurse vendet e tjera kuptohet më pak.

Veçse në çdo moment, ato shërbejnë shumë më tepër sesa përfaqësi, kur bëjnë thirrje, japin vizione dhe më tepër se çdo gjë bëjnë deklarata, që kanë gati fuqi detyruese. Në fakt dhe mund ta teprojnë, por askush nuk ka fuqinë dhe tagrin t’i kthejë përveç ndonjë përfolje të rastit. Përfaqësuesve amerikanë i ka ndodhur më së shumti të tregojnë fuqi, siç ndodhi me referimin e tyre me propozimin me zarf për ish-presidenten e Kosovës, zj. Jahjaga, që erdhi nga askundi sa i përket karrierës politike, ashtu si përballja e amerikanëve me kryeministrin e tanishëm Kurti.

Dyqind e pesëdhjetë kilometra më tutje, ambasadat e Quint-it në Tiranën zyrtare kanë po ashtu pushtet. Deklaratat e ambasadës amerikane, të shqiptuara nga ambasadorja znj. Kim, por edhe paraardhësve të saj, u shihet edhe presja edhe çdo nënshtresëzim ideor. Metafora e “barit” që përdori ajo javë më parë, jo vetëm u interpretua deri me ngjyresat e një vepre letrare por do i paraprinte realisht një sërë aktesh, mes të cilave u vërtetua dhe ajo që po ndodh tashmë me PD-në.

Ashtu si paraardhësit e saj vepruan me Reformën në Drejtësi, apo me kërkesën për arrestime dhe shumë elementë të tjerë, çdo gjë paraprihet prej tyre. Po a është vallë Shqipëria në pozitën e Kosovës? Në dukje jo. Ne jemi shtet mbi 100 vjeçar por më shumë se të gjitha kemi institucione në formë të institucionalizuara kurse në përmbajtje ende me shumë probleme demokratike. Dhe, Ambasadat e Quint-it kanë ndihur përmes lehtësimit të projekteve të vendeve të tyre, mobilizimit direkt për Reformën në Drejtësi, administratë dhe sidomos Luftën ndaj Krimit të Organizuar. Aq e madhe është kjo ndërhyrje, saqë nuk ka konferencë, mbledhje, ku ata të mos jenë me kryeministrin e rradhës së vendit. Në bash të vendit dhe të marrë si pika referimi.

Tashmë roli i tyre ka shkuar pak edhe në atë që e përqas me Kosovën: përballjen e legjitimitetit të politikës shqiptare.

Zoti Basha duket se nga Kuvendi i ditës së shtunë së 18 Dhjetorit do të dalë shumë më i dobët në përmbajtje por me një konfirmim të zbehtë të votave të Partisë Demokratike dhe të bazës së saj që duhet thënë tashmë se është ndarë frikshëm në dy kahe larg njëra-tjetrës. Njëra që lidhet me atë grupim që drejton z.Berisha dhe përmes një Komisioni po bën Rithemelimin e saj, po nën hijen e tij dhe tjetra me atë frymë që përcjell vetë z.Basha, tashmë i liruar përfundimisht prej Berishës. Kali i betejës së tij mbetet shpallja “Non grata” e z. Berisha dhe tjetra mbështetja e ambasadorëve të Quint-it, e cila shpaloset në çdo moment. Për fat të keq, ambasadorët mund të përdoren si kinse përdoren në vendin tonë, pa harruar se ata na përdorin dhe këtë e shikon në raportet që bëjnë vendet e tyre. Veçse, në rastin e Bashës nuk të bën kryetar të vërtetë mbështetja e Quint-it, kryetar, të bën fitorja në zgjedhje dhe sidomos bashkimi i partisë.

Me çfarë shikohet, Partia Demokratike me këtë ndarje të frikshme po i drejtohet Gjykatës duke i lënë në prag të derës asaj një kaos të informalitetit të madh të anëtarësisë së saj. Dhe, ndoshta sërish prej aksionit të ambasadorëve, hapi i ardhshëm do jetë bashkimi i PD-së, por për fat pa Bashën dhe Berishën. Mbase, ky do jetë pas pak muajsh aksioni për Kuvendin e vërtetë, ku do të dalë drejtuesi real i Partisë Demokratike. Duan apo nuk duan, megjithë patetizmin dhe deklaratat fyese apo akuzat, të dy si Berisha dhe Basha e mbyllën pa shumë lavdi misionin e tyre.

Berisha që kur humbi në vitin 2013 dhe me zgjidhjet e tij të javëve të fundit që edhe pse po ngjallin shpresë te Demokratët nuk të përcjellin dot larg; kurse Basha me atë pazotësi organike, ku sot nuk mund t’u dalë dot para demokratëve t’u shpjegojë atë që ndodhi, sepse ata tashmë janë të ndarë në thelb. Ai që do të bashkojë PD s’është ende në mes të ekuacionit të sherrit dhe këtë më mirë se kushdo e dinë ambasadorët e Quint-it, për të cilët Berisha është i përjashtuar si vlerë, kurse Basha as nuk mund të jetë faktor. Deri më tani ai ka qenë zgjatim i Berishës, në një dualitet që i humbi identitetin partisë kurse tani i vetëm i duhet të drejtojë një anije që do një kurs të qartë. Për më tepër, një masë të tërë historie, pjesë e të cilës ai nuk u bë dot, bashkë me mentorin e tij dhe tashmë armikun e madh personal Berisha. Demokratët e shekullit XXI u duhet një drejtues i shekullit XXI, i cili duhet të jetë shumë larg njerëzve që e përcollën deri këtu Partinë Demokratike.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë