Thursday, April 25, 2024

Meta: Të kthehet në rrugë rënëse raporti i borxhit ndaj PBB, përndryshe do të shkaktojë krizë serioze

Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp mëngjesin e kësaj të premteje për borxhin publik. Ai tha se niveli i borxhit ndër vite në vend mund të shkaktojë krizë të fortë. Sipas Metës, ligji për buxhetin e 2022 nuk bëri real shifrat për nivelin e borxhit të vitit 2021. Në fund të 2021 borxhi publik është më shumë se 84 % e prodhimit bruto, tha ai. Presidenti akuzoi qeverinë se falë projekteve PPP, financimet e të cilave sipas tij nuk janë transparente, ka ndërmarrë veprime klienteliste.

“Objektivi kryesor i politikës ekonomike duhet të jetë kthimi sa më parë i raportit të borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në një rrugë rënëse. Përndryshe niveli i borxhit në vitet në vazhdim do të mund të shkaktojë një krizë serioze duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike. Edhe ligji i buxhetit për vitit 2022 nuk bëri transparent nivelin real të borxhit për vitin 2021 si dhe një vlerësim të të gjitha risqeve potenciale të rritjes dhe mbi këtë bazë marrjen e masave parandaluese për uljen e tij.

Ministria e Financave në ralacionin e ligjit të buxhetit ka raportuar se stoku i borxhit është 80% e PBB-së për vitin 2021 ndërsa FMN e vlerësoi 80%. Në parashikimet e reja makroekonomikë të miratuara së fundi Ministria e Financave raporton se borxhi publik i vendit vlerësohet të ketë arritur 80.1% të PBB-së në vitin 2021. Përsëri kjo nuk pasqyron vlerën reale të tij.

KLSH vlerëson se stoku real i borxhit i raportuar për vitin 2020  që mbartet në vitin 2021 paraqitet i nënvlerësuar. Në llogaritjen e stokut të borxhit për vitin 2021 do duhej të përfshiheshin të gjitha detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe lokale, rimbursimi i plotë i TVSH me rreth 24.2 mld lekë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare me rreth 405 mln euro s dhe detyrimet e vlerave të nënhuasë e 62.5 mln Euro.

Vlera reale e borxhit në fund të vitit mund të përllogaritet në më shumë 84% e PBB. Edhe kjo në rastin më të mirë. Në këtë nivel të stokut nuk janë përfshirë çështjet në shqyrtim nga gjykatat ndërkombëtare, detyrimet e reja, shtesë të papaguara të qeverisë etj.

Vlera totale e projekte PPP në vitin 2022 do të arrijë mbi 45% të PBB. Projektet e PPP i kanë lejuar qeverisë të marrë investime të reja klienteliste.

Shqipëria doli në tregun ndërkombëtar dhe emetoi Eurobondin me një normë interesi 3.75% që është mbi dy herë më e lartë se vendet e rajonit tonë.

Shqipëria ka nivelin më të lartë të borxhit publik për banorë në rajonin tonë pas Malit të Zi. Niveli i borxhit publikë për banorë është rritur mbi 53% në vitin 2021 në krahasim me vitin 2013.Pra në 8 vite është rritur mbi 53% ndërkohë që premtimi ishte për ta ulur”, tha Meta.

Meta kërkoi të merren masa, të parandalohet sipas tij humnera ekonomike.

“Duke vlerësuar situatën kritike në të cilën ka arritur borxhi publik, kërkoj nga kuvendi dhe institucionet të bashkëpunojnë në mënyrë që të bëhet sa më shpejt një vlerësim real të borxhit publik. Po kështu duhet të bëhet edhe një analizë e ndikimit të tij në qëndrueshmërinë e financave publike. Shpresoj që të gjithë aktorët ta marrin më seriozisht çështjen e borxheve që merren në emër të Republikës të Shqipërisë dhe paguhen shumë shtrenjtë nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë”, tha Meta.

Presidenti Ilir Meta lexoi më herët edhe një postim të tij në rrjetet sociale ku solidarizohet me shqetësimin e komunitetit të gazetarëve si dhe dënoi sulmet kibernetike ndaj disa mediave online, që sipas kreut të shtetit, janë kritike me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Meta tha se është i detyruar që ta lexojë këtë qëndrim pasi “censura po mbretëron kudo”.

“Jam i detyruar për shkak të censurës që vjen nga afera e inceneratorëve të mos reflektimit në media të qëndrimit të Presidentit me një shqetësim shumë serioz të komunitetit të gazetarëve ndërkombëtarë. Prandaj jam i detyruar ta lexoj këtë qëndrim këtu dhe do të jem i detyruar t’u bëj thirrje qytetarëve të më ndjekin sa më shumë në Facebook dhe rrjetet sociale sepse nuk është tashmë fakt i panjohur që censura po mbretëron kudo dhe kjo është në dëm të interesit të qytetarëve dhe publikut. Ne do ta thyejmë censurën me të gjitha mjetet dhe të gjitha mënyrat.

Solidarizohem me shqetësimin serioz të komunitetit të gazetarëve të pavarur, vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe dënoj me ashpërsi sulmet kibernetike dhe presionet e gjithanshme ndaj disa mediave online kritike me Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Ky model i neveritshëm i dhunimit të lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së medias, që synon vendosjen e tyre nën kontroll nëpërmjet presionit, dhunës e shantazhit, në shkelje flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe Konventave ku aderon vendi ynë, meriton nga drejtësia një përgjigje të qartë dhe të menjëhershme ligjore.

Duke sjellë në vëmendje regresin vit pas viti të Shqipërisë në raport me lirinë e medias, pa garantimin e së cilës nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, i ftoj organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve të mbështesin kolegët e pavarur dhe kurajozë shqiptarë, të cilët si gjithmonë do të më kenë në krah në përpjekjet e përbashkëta për demokratizimin dhe europianizimin e plotë të vendit. Dhunimi në rritje i lirisë së mediave ka ndihmuar në rritjen dramatike të korrupsionit dhe kapjes së shtetit.  Të gjithë të bashkohemi për lirinë e medias dhe të refuzojmë orkestruesit e dhunës dhe censurës”, tha Meta.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë